Sa është numri i përfituesve nga subvencionimi i pajisjeve efiçiente?

8 mijë e 774 qytetarë janë përfitues të subvencionimit të pajisjeve efiçiente të energjisë elektrike nga Ministria e Ekonomisë pas mbylljes së fazës së dytë të aplikimit.

Mbi 4 milionë euro janë disburusuar tek përfituesit e këtyre pajisjeve.

“Pas mbylljesh së fazës së dytë i kemi 8 mijë e 774 përfitues dhe janë disbursuar mbi 4 milionë euro, prej këtyre 1476 janë përfitues të stufave individuale, 5381 përfitues të klimave eficiente, 1333 pompave termike dhe 584 kaldajave me biomasë. Nëna vetushqyese janë 51 përfituese ndërsa përfitues të ndihmës sociale janë 841”- prezantoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas mbledhjes së Qeverisë.

Ministrja e Ekonomisë tha se situata me energji elektrike pritet të përkeqësohet në javët në vazhdim pasi çmimet në tregjet evropiane të rrymës do të rriten.

Kriza energjetike ka përcjellë vendin që nga fillim viti i kaluar.

“Mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme të prodhimit të brendshëm të energjisë, varësia nga importi e rritja enorme e çmimeve të energjisë në tregun ndërkombëtar vështirëson edhe më tej situatën, duke shkaktuar jo vetëm reduktime të shpeshta të energjisë, por edhe rënie të tensionit dhe probleme tjera të rrjetit” – thuhej në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë gjatë publikimit të thirrjes për subvencionim të publikuar në tetor.

Subvencionimi i efiçiencës së energjisë përmes thirrjes për subvencionim të pajisjeve efiçiente ju ka mundësuar qytetarëve të blejnë pajisje me nivel të lartë të efiçiencës, që ndikon direkt në: reduktimin e kërkesës për energji/ energji elektrike dhe rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për nevojën e kursimit të energjisë.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka paralajmëruar një dimër të vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike këtë vit, duke bërë vazhdimisht thirrje për kursim të energjisë elektrike, duke subvencionuar qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike se vitin e kaluar e të tjerë për blerjen e pajisjeve për ngrohje. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në njërin nga deklarimet kishte thënë se një megavat i energjisë elektrike në sezonin e dimrit mund të shkojë deri në 1,000 euro.

Për shkak të krizës energjetike në Kosovë në gusht të vitit 2022, Kosova është përballur me reduktime të energjisë elektrike. Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, kishte njoftuar se nuk kanë mundësi financiare që të blejnë energji elektrike andaj do të furnizohen vetëm nga prodhimi vendor.

Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mosprodhimit të sasisë së duhur të energjisë  nga KEK.