Sa është i sigurt mishi nga Brazili?

Brazili është një ndër vendet që eksporton më së shumti mish në Kosovë. Megjithëse cilësia e mishit është shqetësim publik në vend, institucionet e kontrollit thonë se importi është i kontrolluar.

Drejtori i Shëndetit Publik në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Flamur Kadriu ka thënë se në Kosovë hyn vetëm mishi i fabrikave të Brazilit të cilat janë të aprovuara edhe në shtetet e Bashkimit Europian.

“Në Kosovë është një averzion për mishin e Brazilit. Në Kosovë hyn mishi prej fabrikave që janë të aprovuara me hy në Kosovë. Nëse një fabrikë është e apruvume me sjellë mish në BE është e aprovume prej nesh”, ka deklaruar Kadriu.

Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë prezantimit të raportit të auditimit të performancës “Siguria e Ushqimit, rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”.

Në këtë tryezë u  prezantua raporti për sigurinë e ushqimit ku është vënë theksi te problemi i mos-integrimit të inspektorëve komunal në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës edhe pse kjo çdo vit përmendet si rekomandim nga Komisioni Europian në Raportin e Progresit.

Fushëveprim i këtij auditimi është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Ndërsa për analizë të detajuar në auditim janë përzgjedh Zyrat Regjionale të Mitrovicës dhe Gjilanit si dhe pikat inspektuese kufitare në Mitrovicë dhe Prizren që ndërlidhen me importin e produkteve me prejardhje bimore dhe shtazore.

Në AUV, janë vlerësuar mekanizmat për inspektim/kontroll për të siguruar se ushqimi në treg është i sigurt për qytetarët. Po ashtu, subjekt i auditimit kanë qenë Komuna e Gjilanit dhe Mitrovicës përkatësisht Drejtoritë e Inspektoratit komunal.

Më poshtë gjeni disa nga shkrimet e KALLXO.com në lidhje me raportin

“Rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”.

Auditori ngrit dyshime për cilësinë e mishit që konsumojmë

ZKA: Inspektorët në pikën kufitare në Prizren kanë marrë vetëm një mostër nga mishi i ngrirë

ZKA: Në Mitrovicë u bënë vetëm tri kontrolle të miellit gjatë vitit

ZKA: Në treg vazhdon të ketë produkte përmbajtja e të cilave nuk tregohet