Sa është i pasur ministri Arben Vitia?

Ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsion për vitin 2021.

Ai ka deklaruar se ka në pronësi të tij një shtëpi 250 metra katror, e cila është trashëgimi.

Këtë shtëpi të cilën e ka në emër të tij, Vitia e ka vlerësuar me 150 mijë euro.

Vitia me bashkëshorten e tij kanë një truall prej 15 ari, i cili ka vlerë më shumë sesa shtëpia e trashëguar.

Këtë pronë në AKK ministri i Shëndetësisë e ka vlerësuar me 250 mijë euro.

Familja Vitia në pronësi ka dy vetura, njëra e tipit ‘Mazda’, e cila është në emër të ministrit dhe ka vlerën 12 mijë euro, dhe një veturë të tipit ‘Suzuki’ e cila ka vlerën 15 mijë euro dhe është në emër të bashkëshortes.

Ministri Vitia ka thënë që nuk posedon ndonjë aksion në ndonjë kompani. Përderisa aktualisht në një nga bankat e Kosovës ka të deponuara 6 mijë e 523 euro, për dallim nga viti paraprak kur kishte të deponuara vetëm 1 mijë euro.

Bashkëshortja e tij ka të deponuara 2 mijë e 488 euro, për dallim nga vitit paraprak kur kishte vetëm 100 euro.

Vitia ka deklaruar se të vetmen pozitë e ka atë të Ministrit të Shëndetësisë ku edhe merr pagë mujore prej 1 mijë e 151 euro.

Ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar se rrogën mujore prej 1 mijë e 500 eurove e merr në Spitalin “Fati im”.

Vitia është emëruar ministër në Qeverinë “Kurti 2” më 22 mars 2021.