Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Sa drejtori do t'u besohen grave në Lipjan, tregojnë kandidatët për kryetar
Kandidatët për kryetar të Lipjanit kanë thënë premtimet e tyre për emërimi e grave në drejtoritë komunale.
Sipas Adnan Rrustemit nga VV, asnjëra gjini nuk do të ketë më pak se 40% të drejtorive.
“Do të punoj që të jetë barazia e plotë me 50%. Asnjëra gjini nuk do të ketë më pak se 40%”, ka thënë Rrustemi.
Ndërsa Imri Ahmeti nga LDK tha se do të mundohet ta rrisë numrin e grave në udhëheqësi të drejtorive.
“Sa më shumë do të ju jap mundësi, katër drejtoresha janë nga 12 drejtori, do të mundohemi ta rrisim”, ka premtuar Ahmeti.
Kandidati i PDK-së, Hyzer Rizani tha se 50% do të jenë gra në drejtoritë komunale.
“Në kabinetin tim do t’i kem 50% femra”, ka premtuar Rizani.
Edhe Bashkim Budakova nga AAK tha se gjysmën e drejtorive do t’ua besojë grave.
“Mendoj që 50% e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë”, ka thënë Budakova.
Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Lipjanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.
Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Lipjanit: Adnan Rrustemi nga LVV; Bashkim Budakova nga AAK; Hyzret Rizani nga PDK dhe Imri Ahmeti nga LDK.
Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Lipjanit: Egzona Bytyqi dhe Lumturije Bytyqi Hasani nga PDK; Hyra Bytyçi dhe Safete Amerllahu nga LDK; Majlinda Agushi nga AAK dhe Shahadije Dragaqina nga LVV.
Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.