Ish-nënpresidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Sa do të kushtojë tendenca progresiste e Joe Biden-it?

Përqafimi i planeve ambicioze dhe gjithnjë e më të kushtueshme nga kandidati demokrat për president Joe Biden, për të ringjallur ekonominë e vendit, synon të forcojë mbështetjen e tij në radhët e progresistëve dhe klasës punëtore në shtetet kryesore industriale ku do të zhvillohet beteja elektorale.

Por planet e zotit Biden synojnë rritje të taksave dhe do të shtonin triliona dollarë në shpenzime qeveritare gjatë dekadës së ardhshme, në një kohë kur shpenzimet për të luftuar ndikimin ekonomik të coronavirusit pritet të rrisin deficitin buxhetor në nivelin rekord prej 3.7 trilionë dollarësh, deri në fund të vitit.

Duke përmendur recesionin ekonomik të shkaktuar nga coronavirusi, së bashku me protestat kundër pabarazisë racore dhe kërcënimin në rritje të ndryshimeve klimatike, ai që pritet të jetë kandidati për president i Partisë Demokrate, Joe Biden, foli kohët e fundit për masa të guximshme për t’u përballur me krizat.

“Kemi një krizë shëndetësore, një krizë ekonomike, një krizë të drejtësisë racore, një krizë të lidhur me klimën. Duhet të bashkohemi për të zgjidhur ato, për t’i zgjidhur ato si amerikanë”, tha Biden.

Agjenda “Rindërtojmë më mirë” e zotit Biden do të ishte sipërmarrja federale më e gjerë që Shtetet e Bashkuara kanë parë prej dekadash. Megjithatë ish-Nënpresidenti nuk po përqafon propozimet më përparimtare të partisë së tij, si kujdesin shëndetësor universal dhe garancitë federale për punësimin.

Për të rritur prodhimin, për të krijuar pesë milionë vende të reja pune dhe për t’i bërë kompanitë amerikane më pak të varura nga eksportet kineze, zoti Biden propozon rritjen e blerjeve vjetore nga qeveria amerikane të produkteve të prodhuara në Amerikë, në një shumë prej gati 1 trilion dollarësh.

“Edhe përpara se zoti Biden të propozonte shtimin e 400 miliardë dollarëve në prokurime, pra rreth 2% e PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto), ne blejmë tashmë rreth 600 miliardë dollarë, gati 3% të PBB-së në vit. Pra këto janë prokurime të shumta”, thotë ekonomisti Jared Bernstein, me Qendrën për Prioritetet e Buxhetit dhe Politikave.

Kandidati demokrat dëshiron të rrisë pagën minimale në 15 dollarë në orë dhe të zgjerojë programet e trajnimit profesional që përqendrohen tek pakicat dhe gratë.

Zoti Biden parashikon 300 miliardë dollarë për inovacionin, kërkimin dhe zhvillimin, për të ndihmuar kompanitë amerikane të konkurrojnë në tregun global.

Ai gjithashtu do të rrisë taksat për kompanitë amerikane që transferojnë vendet e punës jashtë shtetit dhe do të udhëheqë një përpjekje ndërkombëtare për të kundërshtuar praktikat grabitqare tregtare të Kinës.

Presidenti Donald Trump ka thënë se zoti Biden po bën plagjiaturë duke kopjuar agjendën e tij “Amerika e Para”.

“Anojnë shumë nga e majta radikale, por ai tha gjërat e duhura sepse po kopjon ato që kam bërë unë. Megjithatë, dallimi është se ai nuk mundet t’i realizojë”, tha presidenti Donald Trump.

Përqasja e Presidentit Trump për të mbrojtur vendet e punës dhe industrinë amerikane ka konsistuar në uljen e taksave të korporatave, dobësimin e rregullave mjedisore dhe rinegocimin e marrëveshjeve të tregtisë, por presidenti nuk ka ofruar një plan afatgjatë për t’u përballur me pasojat ekonomike nga pandemia e coronavirusit.

“Në të vërtetë Presidenti nuk na ka ofruar një vizion ekonomik për katër vitet e ardhshëm në një kohë kur ne kemi nevojë për të më shumë se kurrë, pasi ekonomia është në rënien e saj më të madhe që nga vitet ’30”, thotë ekonomisti Brian Riedl, i Institutit Manhattan.

Zoti Biden gjithashtu qarkulloi këtë javë një plan për energjinë e pastër dhe infrastrukturën me një vlerë prej 2 trilionë dollarësh.

Propozimi i tij mbi kujdesin shëndetësor, për të zgjeruar subvencionet për familjet me të ardhura të ulëta është parashikuar të kushtojë 1 trilion dollarë, dhe propozimet e tij për arsimin dhe asistencën për strehim, mund të shtojnë edhe 2 trilionë dollarë të tjerë në shpenzime buxhetore.

Me një vlerë prej të paktën 6 trilionë dollarësh, kritikët thonë se agjenda e zotit Biden do ta rriste më tej borxhin tashmë tronditës të Amerikës dhe do të pengonte rimëkëmbjen ekonomike. Por këshilltarët e zotit Biden thonë se programet afatgjata do të financohen nga rritja e taksave, kryesisht ndaj të pasurve./VOA