Sa do të jetë rritja e çmimit të rrymës në faturat mujore sipas ZRRE-së (FOTO)

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), mori vendim të enjten që ta shtrenjtojë rrymën rreth 15%, përderisa tarifat e reja të rrymës do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli.

Sipas ZRrE-së, me tarifat e reja konsumatorët që kanë konsum shtëpiak deri në 300 kilovatë në orë, nëse proporcioni i konsumit është 60 tarifa e lartë me 40 tarifa e ulët, ata paguajnë 21 euro e 63 centë.

Me tarifat paraprake, kosumatorët paguanin 18 euro e 75 centë, pra është rritur për 2 euro e 80 centë më shumë.

Për ata që kanë konsum deri në 450 kilovatë në orë, sipas tarifave të reja, fatura mujore për konsumatorët do të jetë 31 euro e 36 centë. Me tarifat paraprake, konsumatorët paguanin 27 euro e 18 centë, apo 4 euro e 18 centë më pak.

Për konsumatorët që kanë konsum deri në 600 kilovatë në orë, rritja e faturës mujore do të jetë 5 euro, pra qytetarët paguajnë 41 euro e 10 centë. Ndërsa me tarifat paraprake, ata paguanin 35 euro e 62 centë.

Kurse për konsumatorët që konsumjnë deri në 800 kilovatë, ku 80 për qind e konsumatorëve janë pjesë e kësaj kategorie, rritja mujore do të jetë rreth 7 euro e 23 centë, pra qytetarët paguajnë 54 euro e 9 centë. Ndërsa me tarifat paraprake, qytetarët paguanin 46 euro e 86 centë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte propozuar që të ketë rritje të tarifave të rrymës për vitin 2023, pas kërkesës së bërë nga Furnizuesi Publik – KESCO për shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor.

KESCO në raportin e tyre kanë thënë se kriza energjetike dhe ajo ekonomike që e kanë karakterizuar vitin 2022 dhe që do të vazhdojë të jete prezent edhe përgjatë vitit 2023, tashmë e kanë dëmtuar rëndë gjendjen financiare të FSHU-së.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.