Sa do të jetë i vështirë zëvendësimi i policëve të dorëhequr në veri, flasin njohësit e sigurisë

Dorëheqjet e qindra zyrtarëve policor të Kosovës në komunat me shumicë serbe në veri të vendit bën që institucioni i policisë të hapte një konkurs për rekrutim të policëve të rinj.

Gati dy muaj pas dorëheqjeve, më 4 janar në një shpallje zyrtarë të policisë u tha se ky konkurs ishte hapur për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas.

Vendi i punës së personave që do të pranohen nga ky konkurs do të jetë Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut.

Mirëpo, numri i qytetarëve që e shfrytëzuan këtë konkurs për punësim është i ulët në krahasim me numrin e zyrtarëve që lanë punën e policit në pjesën veriore të Kosovës.

Vetëm 138 aplikues plotësuan të gjitha kushtet për t’iu nënshtruar fazave të testimit, të cilat ende po vazhdojnë, e që deri më tash ky numër ka rënë në 98.

Këta 98 konkurrent, më 27, 28 dhe 29 mars do t`i nënshtrohen edhe testimit psikologjik, e që pas kësaj faze testuese ata që arrijnë të kalojnë do t’i nënshtrohen edhe kontrollimit mjekësor.

Numri i konkurrentëve po konsiderohet i ulët edhe nga njohësit e sigurisë, të cilët thanë për KALLXO.com që do të jetë e vështirë që të zëvendësohet zbrazëtia e policëve që është krijuar pas dorëheqjeve që u dhanë në nëntor.

Pse numri i konkurrentëve është kaq i ulët?

Presioni i Serbisë ndaj qytetarëve serb në Kosovë po cilësohet si një nga arsyet kryesore se pse numri i konkurrentëve për t`u bërë pjesë e Policisë së Kosovës është i ulët.

Ish drejtori i Policisë, i cili tash po ushtron pozitën e deputetit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë për KALLXO.com se problemi i numrit të ulët të konkurrentëve është problem politik.

“Ky problem tashmë është problem politik, dihen shkaqet se pse ka ardhur deri këtu, mendoj se ka ardhur drejtpërdrejtë nga presioni i Qeverisë së Serbisë” – është shprehur Qalaj duke shtuar se zgjidhja e këtij problemi është mjaft vështirë të gjendet për shkak të presionit që bëhet nga Serbia.

Madje ish shefi i policisë tha se presionet e kërcënimet e Serbisë mbi komunitetin serb në vend bëjnë që të ketë një hezitim të këtyre qytetarëve në karshi të institucioneve të Kosovës.

Po ashtu, qasjen e institucioneve të Kosovës në drejtim të një problemi të tillë, Qalaj e cilëson si “të çuditshme”.

Ai madje thotë se Qeveria e vendit duhet të bëj përpjekje në vazhdimësi që t’i bind komunitetet që jetojnë në pjesën veriore të vendit, e në veçanti komunitetin serb, që të aplikojnë e t’i bashkohen Policisë së Kosovës.

Edhe Bedri Elezi, njohës i sigurisë, ndan një mendim të njëjtë me Qalaj duke shtuar si problem edhe kushtet në Policinë e Kosovës.

“E para është ndikimi i institucioneve të Serbisë tek qytetarët serb të Kosovës dhe e dyta them të drejtë ka rënë interesimi i qytetarëve në përgjithësi për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës për shkak duke filluar nga pagat e ulëta e po ashtu edhe çështja e meritokracisë” –  shprehet Elezi kur pyetet se pse nuk ka pasur më shumë konkurrent në konkursin për polic në veri.

Ai madje thotë se ky numër i aplikuesëve nuk përmbushë nevojën e policisë për të mbuluar të gjitha zbrazëtirat që janë krijuar.

Nga ky problem, Elezi thotë se lind edhe një problem tjetër, e i cili sipas tij është pamundësia që të bëhet përzgjedhja prej më të mirëve.

“Numri kaq i vogël i konkurrentëve lë të nënkuptohet edhe nëse mund të kemi problem edhe në përzgjedhje. Një numër kaq i vogël i aplikuesëve nuk mundëson që të bëhet përzgjedhja prej më të mirëve”  – shprehet njohësi i sigurisë.

Ai tutje pretendon se Policia e Kosovës mund të bëj edhe lëshime duke tentuar që të mbuloj zbrazëtirat e punëtorëve policor në veri.

“Mund të rekrutohen edhe persona që mund të mos jenë të duhur dhe më të mirët e mundshëm për të kryer detyrat pas shkollimit dhe trajnimeve të nevojshme” – shton Elezi.

Kronologji e konkursit të Policisë

Policia e Kosovës më 4 janar kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas.

Përmes një njoftimi, Polica kishte bërë të ditur se vendi i punës do të jetë Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut.

Konkursi në fjalë ishte paraparë që të mbetej i hapur deri më 26 janar, mirëpo në po të njëjtën ditë, nga ana e Policinë ishte njoftuar se afati për aplikim do të zgjatej edhe për 10 ditë të tjera.

Për të njëjtin konkurs që ishte i hapur deri më 10 shkurt 2023, Policia kishte publikuar një njoftim ku është thënë se janë duke vazhduar me kampanja sensibilizuese për konkursin e hapur për komunitetet pakicë.

Testi me shkrim për këtë konkurs u mbajt më 20 shkurt, ku nga gjithsej 138 konkurrentet, 37 ranë nga provimi.

Më pas, 101 kandidatët që mbetën, më 2 mars iu nënshtruan testit fizik, nga i cili testim 3 kandidat nuk arritën që t’i plotësojnë kriteret e nevojshme duke bërë që numri i kandidatëve të jetë ai i cili është edhe sot, pra 98.

Këta të fundit, më 13 dhe 14 mars iu nënshkruan intervistës me gojë dhe që të gjithë arritën që ta kalojnë fazën e tretë testuese.

Më pas, të njëjtët, më 27, 28 dhe 29 mars do ti nënshtrohen edhe testimit psikologjik, e që pas kësaj faze testuese ata që arrijnë të kalojnë do t’i nënshtrohen edhe kontrollimit mjekësor.