Sa do të jenë pagat në ndërmarrjet publike sipas Ligjit të ri?

Pagat e zyrtarëve që punojnë nëpër ndërmarrje publike do të ndryshojnë me hyrjen në fuqi të Ligjit për pagat në sektorin publik më 1 dhjetor.

Ndërmarrjet publike me kapital mbi 50 për qind shtetëror miratojnë nivelet e pagave të punonjësve të tyre të caktuar nga Qeveria, brenda koeficientit minimal 1 dhe koeficienti maksimal 7.

Pagat në këto ndërmarrje do të jenë mes 239 euro dhe 1673 euro.

Ndërsa për ndërmarrjet publike, veprimtaria e të cilave është me humbje, ose që subvencionohen nga shteti, Qeveria e Kosovës, me propozim të Komisionit ndërministror për ndërmarrje publike miraton, me akte të veçanta, nivelin e pagave dhe të shtesave për performancën e punonjësve të tyre.

Në paragrafin 3 të këtij neni, Komisioni Komunal i Aksionarëve, për ndërmarrjet publike, me kapital mbi 50 për qind të zotëruar nga komunat, cakton nivelet e pagave të punonjësve të tyre, brenda koeficientit minimal 1 dhe koeficientit maksimal 5.

Njësia për monitorimin e ndërmarrjeve publike e cila është në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ka dërguar një letër në adresë të ndërmarrjeve publike të Kosovës në lidhje me implementimin e Ligjit për pagat në sektorin publik.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili ka thënë se kjo letër ka shkuar te menaxhmentet e ndërmarrjeve publike të Kosovës por pa direktivën e tij.

“Ne duhet me qëndru pak të distancuar në këtë aspekt, se duhet ose s’duhet që ndërmarrjet publike me zbatu këtë ligj. Unë nuk kam dërgu asnjë letër ose opinion te ndërmarrjet publike. Mirëpo një letër ka dalë prej Njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike e cila është në kuadër të MZhE-së, pa direktivat e mia”, ka thënë Lluka për KALLXO.com.

Një muaj para hyrjes në fuqi të Ligjit për pagat në sektorin publik, Posta e Kosovës ka miratuar planin e biznesit duke marrë për bazë edhe këtë ligj që do t’i prek ndërmarrjet publike.

“Ne kemi miratuar një plan të biznesit dhe në kuadër të planit të biznesit kemi paraparë që ligji për pagat e sektorit publik që do të hyj në fuqi nga 1 dhjetori do t’i prek ndërmarrjet publike pra ne po e respektojmë vetëm ligjin”, ka thënë kryetari i Bordit të Postës së Kosovës, Halit Isufi.

Isufi ka deklaruar për KALLXO.com se nuk do të ketë ulje të pagave por do të respektohet Ligji për paga i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës.