Nënshkrimi i aplikimit për BE
Sa do të jenë pagat e krerëve të lartë institucionalë në vitin 2025?
Rritja e pagave në sektorin publik do të thotë rritje e pagave edhe për krerët e institucioneve kryesore të vendit.
Kryeministri Albin Kurti njoftoi të martën, më 29.10.2024, se në vitin 2025 pagat do të rriten për një njësi të koeficientit, pra për 110 euro. Kjo rritje do të zbatohet në dy faza, 55 euro në janar dhe 55 euro të tjera në korrik.
Presidentja e vendit, e cila aktualisht merr pagë 1 mijë e 980 euro, me rritjen e paralajmëruar nga Qeveria do të marrë pagë 2 mijë e 35 euro nga janari deri në qershor 2025, e 2 mijë e 90 euro nga korriku deri në dhjetor 2025.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të marrë 1 mijë e 980 euro prej janarit, e 2 mijë e 35 euro prej korrikut 2025, nga 1 mijë e 925 euro sa i merr tani.
Pagat e kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit do të jenë 1 mijë e 925 euro, e më pas 1 mijë e 980 euro nga 1 mijë e 870 sa janë tani.
Deputetët e Kuvendit dhe ministrat, që aktualisht paguhen 1 mijë e 804 euro, do të paguhen 1 mijë e 859 euro nga janari dhe nga korriku 2025 – 1 mijë e 914 euro.
Rritja e pagave u bë e ditur të martën, më 29.10.2024, nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati,.
“Ne kemi shkuar në maksimumin e lejuar të rritjes së pagave. Kemi vendosur të mos e rrisim vlerën e koeficientit, por koeficientin për një njësi. Vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, por rritet sasia e koeficienteve për 1 njësi. Duke filluar nga janari 2025 për gjysmë njësie dhe pastaj nga korriku i vitit të ardhshëm gjysma tjetër” – ka thënë Kurti.
Kurti tha se ky është viti i tretë gjatë qeverisjes së tij që janë rritur pagat.
Qeveria rrit pagat për punëtorët e sektorit publik nga janari 2025