Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sa çerdhe do të ndërtohen në Istog nëse Ilir Ferati zgjidhet kryetar i Komunës?

Kandidati i Lidhjes Demokratike e Kosovës për kryetar të Istogut, Ilir Ferati, ka treguar se sa çerdhe do të ndërtohen nëse ai bëhet kryetar i Komunës.

Ai ka premtuar ndërtim të çerdheve të reja e rritje të kapaciteteve të çerdheve ekzistuese.

“Çerdhe për të gjithë fëmijët e Istogut brenda mandatit të parë. Një çerdhe komplet të re që kushton rreth 300 mijë eurove  që përfundon brenda 2 viteve, çerdhja në Gurrakoc, një çerdhe është në finalizim, një tjetër është në finalizim në Vrellë, dyfishim i kapacitetit të çerdhes në Banjë, edhe rritjen e kapacitetit në Rakosh”, ka thënë Ferati.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut, po diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në emision janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Istog: Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Ilir Ferati ka siguruar 41,09 për qind të votave, kurse Bekë Berisha nga AAK, ka marrë  26,49 për qind.