Trupat ruse në kufi

Rusia urdhëron tërheqjen e trupave, por mban armatimet e rënda pranë Ukrainës

Ministri rus i Mbrojtjes urdhëroi të enjten trupat të kthehen në bazat e tyre të përhershme nisur nga dita e premte, pas stërvitjeve masive në Krime që përfshinë dhjetëra anije të marinës, avionë luftarakë dhe mijëra trupa, në një shfaqje të forcës mes tensioneve me Ukrainën.

Sipas asaj që raporton agjencia e lajmeve, Associated Press, pasi vëzhgoi stërvitjet ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu deklaroi se ato kishin mbaruar dhe urdhëroi ushtrinë të tërhiqte trupat që morën pjesë në manovrat në Krime dhe Rusinë perëndimore përsëri në bazat e tyre të përhershme.

“Unë i konsideroj të përmbushura qëllimet e kontrollit të shpejtë të gatishmërisë. Trupat kanë treguar aftësinë e tyre mbrojtëse dhe unë vendosa të përfundoj stërvitjet ushtarake në jug dhe perëndim”, citohet të ketë thënë ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Sipas deklaratës së zotit Shoigu trupat duhet të kthehen në bazat e tyre deri më 1 maj. Por disa armatime të rënda do të qëndrojnë të pozicionuara në Rusinë perëndimore, pasi sipas tij një tjetër stërvitje masive ushtarake do të zhvillohet gjatë këtij viti.

Ushtria ruse nuk e ka raportuar numrin e trupave shtesë që janë zhvendosur në Krime dhe pjesë të Rusisë jugperëndimore, pranë Ukrainës dhe nuk ishte menjëherë e qartë nga deklarata e ministrit Shoigu nëse të gjitha trupat tani do të tërhiqen.

SHBA dhe NATO kanë thënë se grumbullimi i trupave ruse pranë Ukrainës ishte më i madhi që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se manovrat në Krime përfshinin më shumë se 60 anije, mbi 10 mijë trupa, rreth 200 avionë dhe rreth 1200 automjete ushtarake.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy përshëndeti vendimin e Moskës për tërheqjen e trupave në kufi, por tha se Kievi do të qëndrojë vigjilent.

“Reduktimi i trupave në kufirin tonë në mënyrë proporcionale zvogëlon tensionin”, shkruajti në rrjetin social Twitter zoti Zelenskiy. VOA