Rusia urdhëron arrestimin e gruas së Navalnyt
Një gjykatë në Moskë ka urdhëruar arrestimin në mungesë të Yulia Navalnayas, gruas së politikanit të ndjerë opozitar rus, Alexey Navalny, ka bërë të ditur zëdhënësja e saj.
Gjykata e qarkut të Basmannyt në Moskë akuzon Navalnayan “për pjesëmarrje në një organizatë ekstremiste”, ka thënë Kira Yarmysh në një postim në rrjetet sociale. Ajo është shtuar edhe në një listë ndërkombëtare të personave të kërkuar, ka bërë të ditur agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA Novosti, raporton CNN.
Pos kësaj, gjykata ka pranuar edhe kërkesën e dorëzuar prej Komitetit Hetimor të Federatës Ruse për ta burgosur Navalnayan. Periudha e mbajtjes prapa grilave do të llogaritej prej momentit të mundshëm të ekstradimit në territorin rus, ose prej arrestimit të saj në Rusi, thuhet në komunikatën për media. Navalanaya nuk jeton në Rusi.
Alexey Navalny vdiq më 16 shkurt në burg në Siberi, ku po vuante dënimin e tij prej 19 vitesh prapa grilave pasi drejtësia ruse në gusht të vitit të kaluar e shpalli fajtor për krijimin e një komuniteti ekstremist, për financimin e aktivistëve ekstremistë dhe për krime të tjera të ndryshme. Ai tashmë po vuante një dënim prej njëmbëdhjetë vjet e gjysmë në një qendër të lartë sigurie për mashtrim dhe akuza të tjera, të cilat gjithnjë i kishte mohuar dhe pretendonte se krejt procesi ishte i motivuar politikisht.
Navalny ishte lideri më i njohur i opozitës ruse dhe vitet e fundit ishte kritik i madh i Putinit, i cili ka pothuajse çerekshekulli në majën e pushtetit në një vend. Ai vdiq disa javë para se të mbaheshin zgjedhjet presidenciale që u panë nga bashkësia ndërkombëtare si formalitet për t’ia siguruar Putinit mandatin e pestë në pushtet.
Vdekja e Navalnyt nxiti reagim dhe zemërim në mbarë botën, por edhe brenda Rusisë, ku edhe aktet më të vogla kundërshtuese konsiderohen të rrezikshme dhe përbëjnë rrezik për ata që kundërshtojnë pushtetin. Ai u kthye në Rusi nga Gjermania më 2021, ku ishte trajtuar pasi ishte helmuar me Novichok, agjent nervor i epokës sovjetike. Me t’u kthyer, Navaln u arrestua për akuza që ai i konsideronte politike. Gruaja e tij, Yulia Navalnaya, akuzoi Putinin në shkurt se ishte përgjegjës për vdekjen e tij dhe la të kuptohej se do ta merrte përsipër vazhdimin e aktivitetit të burrit të saj të ndjerë për një “Rusi të bukur dhe të lumtur”.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com