Rusia sërish me mbi 1,200 viktima nga koronavirusi

Numri i viktimave ditore nga koronavirusi në Rusi kaloi të premten 1,200 – për të katërtën ditë me radhë.

Qendra anti-krizë tha se në 24 orët e fundit ka konfirmuar 1,295 vdekje nga koronavirusi dhe 40,123 raste të reja të të infektuarve.

Spitalet janë mbingarkuar me pacientë, ndërsa urdhrat e qëndrimit në shtëpi janë lëshuar për të moshuarit.

Zyrtarët thonë se shkalla e lartë e infeksionit është pasojë e hezitimit të rusëve për t’u vaksinuar.

Edhe pse Rusia ka disa vaksina të prodhuara vetë, vetëm rreth një e treta e popullsisë së saj është e vaksinuar.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Rusi është afër 9 milionë, ndërsa i viktimave është mbi 252,000.

Kritikët dhe disa ekspertë shëndetësorë thonë se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta./REL.