Rusia pretendon se ka “dëshmi” të reja që Ukraina ka planifikuar sulm në Donbas

Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se ka siguruar dokumentet sekrete që “vërtetojnë” se Kievi ka qenë duke planifikuar një sulm ndaj separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Agjencia e lajmeve, Reuters, ka thënë se Ministria ka publikuar gjashtë faqe me dokumente që “dëshmojnë” planet e Kievit për sulm ushtarak në Donbas.

Reuters ka thënë se nuk ka verifikuar këto dokumente – të shkruara në gjuhë ukrainase – në të cilat përmenden përgatitje ushtarake për njësitet ushtarake taktike.

Muajin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin ka njohur dy rajonet e mbështetura nga Rusia në lindje të Ukrainës – Donjeck dhe Luhansk – si shtete të pavarura.

Ai ka urdhëruar dërgimin e trupave ruse në këto dy rajone, para se të niste luftën në Ukrainë.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL