Ilustrim, një gjimnaz i shkatërruar si pasojë e luftës në Ukrainë

Rusia pretendohet se ia mori Ukrainës 196 km katror brenda javës

Rusia ia ka marrë Ukrainës 196.1 kilometra katror në javën e kaluar prej 20 deri më 27 tetor, duke shënuar avancimin më të madh brenda një jave për forcat ruse në terren, ka raportuar grupi mediatik rus, Agentstvo, duke analizuar burime të hapura hartash ukrainase, raporton Reuters.

Lufta, që nisi dy vjet e gjysmë më parë në Ukrainë, po hyn në atë që zyrtarët rusë e quajnë si fazën më të rrezikshme derisa forcat ruse po avancojnë dhe Perëndimi po peshon sesi do të përfundojë lufta.

Forcat ruse, të cilat presidenti Vladimir Putin i urdhëroi ta pushtonin Ukrainën në shkurtin e vitit 2022, avancuan në shtator me shkallën më të lartë që prej marsit të vitit 2022, tregojnë të dhënat e hapura, pavarësisht se Ukrainë ka marrë një hise të rajonit rus të Kurskut.

“Ushtria ruse nuk ka pasur avancim të tillë të shpejtë javor së paku prej fillimit të vitit”, ka shkruar Agentstvo, që Rusia e konsideron “agjent të huaj”.

Ky medium ka bërë të ditur se ka përdorur të dhënat e hapura të analistëve të inteligjencës për ta nxjerrë këtë përfundim.

Agentstvo ka raportuar se javën e kaluar, Ushtria ruse ka marrë kontrollin e 95 kilometrave katror afër qytezës Vuhledar dhe 63 kilometra katror afër qytezës Pokrovsk. Të dyja shtrihen në rajon e Ukrainës lindore në Donbas.

Ky medium ka bërë të ditur se pozicionet ukrainase në Donbas janë dobësuar pas vendimit të Kievit për të sulmuar thellësinë e territorit rus në Kurs.

Forcat ruse, të cilat tashmë kontrollojnë një të pestën e Ukrainës, kanë treguar përparësinë e numrit më të madh të trupave krahasuar me ukrainasit, që po kërkojnë më shumë armatim nga Perëndimi.

Rusia kontrollon Krimenë, të cilën e aneksoi më 2014, rreth 80 për qind të Donbasit – një zonë e madhe me pasuri çeliku dhe qymyri në rajonet Donjeck dhe Luhansk – dhe mbi 70 për qind të rajoneve të Zaporizhias dhe Khersonit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com