Keir Starmer, foto: BBC
Rusia mund ta përfundojë menjëherë luftën, thotë kryeministri britanik
Rusia e nisi konfliktin në Ukrainë dhe mund ta përfundojë luftën menjëherë, ka thënë kryeministri britanik, Keir Starmer, raporton BBC.
Deklarata ka ardhur pasi presidenti rus, Vladimir Putin, sugjeroi se Moska mund t’i konsiderojë raketat perëndimore të hedhura drejt Rusisë si përshkallëzim serioz të luftës.
Putini ka deklaruar për televizionin shtetëror rus se kjo “do të nënkuptonte asgjë më shumë pos pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të vendeve të NATO-s, SHBA-së dhe vendeve të BE-së në luftën në Ukrainë”.
Sir Keir Starmer ndodhet në Uashington për bisedime me presidentin amerikan, Joe Biden, me të cilin do të takohet të premten (13.09.2024), në kohën kur aleatët e Kievit po diskutojnë mundësinë për t’ia dhënë Ukrainës lejen për t’i përdorur raketat e tyre për t’i sulmuar caqet brenda Rusisë.
“Është pjesëmarrje e drejtpërdrejtë e tyre”, ka thënë Putini. “Dhe afërmendsh se kjo e ndryshon thelbësisht esencën, natyrën e konfliktit”.
Ai ka shtuar: “Nëse kështu është puna, ne do të marrin vendime korresponduese ndaj kërcënimeve që do të na krijohen”.
I pyetur për kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Putinit, kryeministri britanik ka thënë në një intervistë në aeroplan në udhëtimin për Uashington se Rusia është ajo që mund ta ndalë menjëherë luftën.
“Rusia e nisi këtë konflikt. Rusia e pushtoi ilegalisht Ukrainën. Rusia mund ta përfundojë menjëherë këtë konflikt”, ka shtuar Starmer. Më vonë ka shtuar: Për ta ritheksuar, ishte Rusia ajo që e nisi këtë e para. Ata e shkaktuan konfliktin, ata janë që po veprojnë kundërligjshëm”.
Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, kanë nisur një aksion të diplomacisë ndërkombëtare, derisa aleatët e Ukrainës po diskutojnë kundërpërgjigjen ndaj përkrahjes së shtuar të Iranit për Rusinë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com