Rusia merr presidencën e Këshillit të Sigurimit

Rusia ka marrë të shtunën, më 1 prill, presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së pavarësisht kërkesave nga Ukraina që të mos lejohet një gjë e tillë.

Secili nga 15 anëtarët e Këshillit merr presidencën për një muaj, sipas një rendi të paracaktuar.

Në herën e fundit që Rusia e kishte presidencën, në shkurt të vitit 2022, ajo e filloi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Marrja e presidencës nga Rusia do të thotë që Këshilli i Sigurimit po udhëhiqet nga një vend, presidenti i të cilit ka një urdhër-arrest ndërkombëtar për krime të dyshuara lufte.

Gjykata Penale Ndërkombëtare – që nuk është institucion i OKB-së – lëshoi urdhër-arrest për Vladimir Putinin gjatë muajit mars.

Pavarësisht ankesave të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se nuk mund ta bllokonin marrjen e presidencës të Këshillit nga Rusia, që është anëtare e përhershme e Këshillit.

Anëtarët e tjerë të përhershëm të këtij këshilli janë Britania e Madhe, SHBA-ja, Franca dhe Kina.

Roli është kryesisht procedural, por ambasadori i Moskës në OKB, Vasily Nebenzia, i tha agjencisë ruse të lajmeve Tass se ai planifikon të mbikëqyrë disa diskutime, duke përfshirë këtu një për kontroll të armëve.

Ai tha se do të diskutonte për një “rend të ri botëror” që, siç tha ai, do ta “zëvendësonte atë njëpolar”.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, e quajti këtë ngjarje “shakaja më e keqe ndonjëherë për Ditën e Gënjeshtrës [1 Prill]” dhe një “Përkujtim se diçka nuk është në rregull me mënyrën se si funksionon sistemi ndërkombëtare i sigurisë”.

Këshilltari presidencial i Ukrainës, Mykhaylo Podolyak, tha se marrja e presidencës nga Rusia ishte “një tjetër përdhunim i ligjit ndërkombëtar… një vend që zhvillon një luftë agresive, shkel normat e ligjit humanitar dhe penal, shkatërron Kartën e OKB-së, neglizhon sigurinë bërthamore, nuk mund ta kryesojë organin kryesor të sigurisë në botë”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje vitin e kaluar që Këshilli i Sigurimit të reformohet ose “të shpërbëhet tërësisht”, duke e akuzuar atë se ka dështuar të ndërmarrë veprime të mjaftueshme për ta parandaluar pushtimin e vendit të tij nga Rusia.

Ai ka kërkuar gjithashtu që Rusisë t’i hiqet statusi i saj si anëtare.

Por SHBA-ja ka thënë se nuk kishte se çfarë të bënte pasi që Karta e OKB-së nuk e lejon largimin e një anëtari të përhershëm.

“Fatkeqësisht, Rusia është një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe nuk ekziston asnjë rrugë e mundshme ligjore ndërkombëtare për ta ndryshuar këtë realitet”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, në një konferencë për media këtë javë.

Ajo shtoi se SHBA-ja pret që Moska “të vazhdojë ta përdorë vendin e saj në Këshill për të përhapur dezinformata” dhe për të justifikuar veprimet e saj në Ukrainë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së është një organ ndërkombëtar përgjegjës për ruajtjen e paqes.

Pesë vende janë të përfaqësuara në mënyrë të përhershme në Këshillin e Sigurimit. Ato pasqyrojnë strukturën e pushtetit pas Luftës së Dytë Botërore, kur u formua Këshilli.

Anëtarët e këtij grupi punojnë së bashku me dhjetë vende anëtare jo të përhershme/REL/.