Rusia kryen sulme me dronë ndaj Ukrainës

Rusia ka lansuar një prej sulmeve më të mëdha me dronë në Ukrainë prej fillimit të luftës, duke e goditur natën kryesisht rajonin e Kievit dhe rrethinës, ka bërë të ditur ushtria ukrainase, që ka njoftuar se 89 prej dronëve janë neutrazliuar nga mbrojtja ukrainase.

Ky është sulmi më i madh mbi kryeqytetin sivjet dhe është hera e shtatë që Rusia gjatë korrikut e sulmon Kievin, kanë thënë të mërkurën ushtarakët, raporton televizioni amerikan, CNN.

Sulmi “masiv” ka zgjatur më shumë se shtatë dhe dronët kanë ardhur gjatë dy valëve sulmuese, kanë thënë zyrtarët e Kievit, duke shtuar se “asnjëri prej dronëve nuk e ka arritur cakun”.

Nuk ka pasur raportime për shkatërrim të ndonjë pike të rëndësishme infrastrukturore ose dëme në ndonjë zonë banimi në rajonin e Kievit, ka thënë drejtuesi ushtarak i rajonit, Ruslan Kravchenko.

Megjithatë, 13 autobusë u dëmtuan dhe ekipet e shpëtimit janë parë në një vend ku kishte zjarr të shkaktuar nga një dron.

“Shumica e ciflave të makinave të rajonit, në të cilat nuk kishte asnjë njeri, kanë rënë jashtë zonave të banimit”, ka shtuar ai.

Rusia ka sulmuar edhe rajonin Mykolaiv të Ukrainës me raketa të komanduara X-59 nga hapësira ajrore e Khersonit, por të cilën Kievi zyrtar ka thënë se e ka rrëzuar gjithashtu.

Sidoqoftë, sulme të ndara në rajonin lindor dhe jugor të Ukrainës kanë lënë të vdekur dy persona të mërkurën në mëngjes.

Kremlini nuk i ka komentuar sulmet në konferencat e rregullta me gazetarët të mërkurën.

Mykola Oleshchuk, komandant i Forcës Ajrore Ukrainase, ka thënë se breshëria e dronëve që kishin cak Kievin “ishte një prej sulmeve më të mëdha masive me dronë Shahed-131/136”, duke e krahasuar me sulmin rus të natës së Vitit të Ri, kur u lansuan 90 “Shahed”.

“Si atëherë, edhe sot mbrojtja ajrore ukrainase ka qëndruar dhe ka zmbrapsur një sulm të madh të dronëve të armikut”, ka thënë ai.

“Grupet mobile të zjarrit të gjithë Forcave Ukrainase të Mbrojtjes, aviacioni taktik i Forcës Ajrore dhe Aviacionit Ushtarak i Forcave Tokësore, njësitet raketore kundërajrore dhe njësitet elektronike luftarake të Forcave Ajrore u përfshinë në zmbrapsjen e sulmit”./CNN

Përgatiti: Rexhep Maloku