Flamuri i SHBA-së (djathtas) dhe ai i Rusisë.

Rusia i konsideron “pozitive” bisedimet 4-orëshe me SHBA-në pa Ukrainën

Shefi i fondit sovran rus, Kirill Dmitriev ka deklaruar të martën, më 18.02.2025, për televizionin shtetëror rus Channel One se bisedimet me përfaqësuesit e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që po zhvillohen për Ukrainën, pa përfaqësuesit ukrainas në Arabinë Saudite, ishin pozitive – raporton televizioni britanik BBC.

“Një dialog shumë pozitiv, konstruktiv ka filluar.” – ka deklaruar Dmitriev.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. As Ukraina dhe as Europa nuk ishin të ftuar në këto bisedime që kanë ardhur pas bisedës telefonike të javës së kaluar ndërmjet Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të restauruar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Korrespondenti i BBC-së në Riad, Tom Bateman raporton se “të dyja palët u ulën në heshtje përpara se të fillonte takimi. E pyeta Rubion nëse SHBA-ja po mënjanonte Ukrainën, ai nuk u përgjigj.” – ka raportuar ai.

Kremlini thotë se Putin është i përgatitur të flasë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky “nëse është e nevojshme”. Zelensky ka thënë vazhdimisht se nuk do të pranojë asnjë Marrëveshje paqeje të negociuar pa Ukrainën.

SHBA-ja thotë se bisedimet e sotme janë hapi i parë për të parë nëse Rusia është “serioze” për përfundimin e luftës, ndërsa Rusia thotë se shpreson të normalizojë marrëdhëniet me Amerikën.

“Ndryshe nga Administrata e Bidenit, e cila kurrë nuk u përpoq të dëgjonte pozicionin e Rusisë, kjo ishte një përpjekje shumë e qartë për të filluar Dialogun, për të kuptuar pozicionin e Rusisë dhe për të diskutuar gjërat për të cilat biem dakord.” – ka shtuar Dmitriev pas bisedimeve që kanë zgjatur katër orë në Riad. “Ka shumë pika për të cilat biem dakord… ne u njohëm shumë më mirë… ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë më mirë tani”.

Ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov ka deklaruar për televizionin shtetëror rus për bisedimet: “Jo keq, jo keq… është e vështirë të thuhet nëse (Rusia dhe SHBA) po afrohen më shumë, por kjo është ajo që diskutuam… ishte një diskutim shumë serioz i të gjitha çështjeve që donim të preknim… ne kemi rënë dakord të marrim parasysh interesat e njëri-tjetrit dhe të zhvillojmë marrëdhënie dypalëshe, pasi Moska dhe Uashingtoni janë të interesuar për këtë.”

Ai ka thënë se ranë dakord që një “ekip i veçantë negociatorësh të vendosë kontakte në kohën e duhur”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com