Rusia e sulmon Odesan me raketa hipersonike

Forcat ruse, të mbështetura nga tanke dhe artileri, po kryejnë “operacione stuhie” në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, ku mbrojtësit e fundit jugorë të qytetit kanë mbetur të bllokuar, tha ministria e mbrojtjes e Ukrainës. Petro Andriushchenko, këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, tha se forcat ruse filluan ta “sulmojnë” fabrikën e Azovstal pasi një kolonë e OKB-së u largua nga rajoni i Donetsk.

Shtetet e Bashkuara kanë parë “raporte informale” se disa trupa ruse në Ukrainë nuk po i zbatojnë urdhrat, sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes amerikane. Shtetet e Bashkuara besojnë se trupat ruse dhe “oficerët e klasës së mesme në nivele të ndryshme, madje deri në nivelin e batalionit” po i refuzojnë të vazhdojnë tutje në ofensivën e Donbasit.

Pentagoni ka deklaruar se ka parë indikacione se ukrainasit e kapur në pushtimin e Rusisë po largohesen me forcë në Rusi. Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se ai “nuk mund të flasë për sa kampe bëhet fjalë ose si duken ato”.

Presidenti Amerikan Joe Biden eka nënshkruar Aktin e Huadhënies për Mbrojtjen e Demokracisë së Ukrainës të vitit 2022 për ta përmirësuar furnizimin me armë dhe materiale të tjera amerikane në Ukrainë ose në vendet e Evropës Lindore. Demokratët e Kongresit amerikan ranë dakord gjithashtu të japin 39.8 miliardë dollarë të tjera ndihmë për Ukrainën, i thanë Reuters të hënën dy burime të njohura me propozimin.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri një vizitë të papritur në qytetin port ukrainas të Odessa të hënën. Michel u detyrua të ndërpresë një takim me kryeministrin e Ukrainës, Denys Shmyhal, dhe të strehohej kur raketat goditën qytetin jugor të Ukrainës, sipas një zyrtari të BE-së. Michel u ankua që “hambarët plot” me ushqime për eksport u bllokuan në portin e Detit të Zi.

Në Odessa, raketat ruse goditën vendet turistike dhe shkatërruan pesë ndërtesa ndërkohë që plagosën dy persona, tha këshilli i qytetit të saj. Mediat ukrainase raportuan se një qendër tregtare u vu në flakë.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po shkon në Hungari për të takuar kryeministrin e saj, Viktor Orbán, për t’i diskutuar çështjet në lidhje me paketën e gjashtë të propozuar të sanksioneve të BE-së, e cila do të përfshijë një ndalim të importeve të naftës ruse në BE. Von der Leyen ka thënë se komisioni synon ta japë opinionin e tij për anëtarësimin në BE të Ukrainës muajin e ardhshëm.

Ukraina e ka dorëzuar pjesën e dytë të një pyetësori zyrtar për ta marrë kandidaturën për anëtarësim në BE. “Sot ne kemi ndërmarrë një hap tjetër – një hap shumë i rëndësishëm dhe jo thjesht formal – në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian”, tha Volodymyr Zelenskiy në fjalimin e tij kombëtar të hënën vonë në mbrëmje.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se oferta e Ukrainës për në BE “do të marrë disa vite, në të vërtetë, ndoshta disa dekada”. Duke folur në parlamentin evropian në Strasburg, Macron sugjeroi krijimin e një “komuniteti paralel evropian” për vendet që aspirojnë të bashkohen me bllokun ose, në një referencë të dukshme për Britaninë, vendet që ishin larguar nga bashkimi. Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e përshkroi sugjerimin e Macron si “shumë interesant”.

Protestues kundër luftës në Ukrainë i hodhën bojë të kuqe Ambasadorit të Rusisë në Poloni teksa ai po vendoste lule në varrezat ushtarake sovjetike në Varshavë. Videoja e publikuar nga agjencitë ruse të lajmeve tregon Sergej Andreev me bojë në rroba dhe fytyrë, i rrethuar nga një turmë, disa duke mbajtur flamuj ukrainas ndërsa brohoritnin “fashistë” dhe “vrasës”.

Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut do të mbajë një seancë speciale të enjten për t’i trajtuar shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut në Rusi gjatë luftës së saj në Ukrainë. Më shumë se 50 vende, përfshirë Britaninë, Gjermaninë, Turqinë dhe SHBA-në, mbështetën një kërkesë të Ukrainës dhe kërkuan një takim të jashtëzakonshëm të organit më të lartë të të drejtave të OKB-së./The Guardian