Rusia e humb kontrollin e plotë mbi rajonin e Luhanskut

Ekspertët mjeko-ligjorë ukrainas kanë zhvarrosur deri më tani 146 trupa, kryesisht civilë, në vendvarrimin masiv pranë Iziumit në Ukrainën lindore, tha të hënën guvernatori rajonal i Kharkivit, Oleh Synehubov. Ai shtoi se trupat e zhvarrosur përfshinin dy fëmijë. Kremlini zyrtar i ka mohuar akuzat se forcat ruse kanë kryer krime lufte në provincën Kharkiv të Ukrainës.

Ukraina e ka rimarrë një fshat afër qytetit lindor të Lysychansk, në një fitore të vogël por simbolike që do të thotë se Rusia nuk ka më kontroll të plotë të rajonit të Luhanskut, një nga qëllimet kryesore të luftës së presidentit rus Vladimir Putin. Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai, tha se forcat e armatosura të Ukrainës janë në “kontroll të plotë” të fshatit Bilohorivka. 

Udhëheqësi i administratës së mbështetur nga Moska në Donbas ka bërë thirrje për referendume urgjente që rajoni të bëhet pjesë e Rusisë. Denis Pushilin, udhëheësi i administratës separatiste me bazë në Moskë në Donetsk, i bëri thirrje liderit të tij separatist në Luhansk që t’i kombinojë përpjekjet drejt përgatitjes së një referendumi për bashkimin me Rusinë. “Veprimet tona duhet të sinkronizohen,” ka deklaruar Pushilin në një video të postuar në mediat sociale të hënën.

Ritmi i avancimit të forcave ukrainase në veri-lindje i kishte futur forcat ruse në një “panik”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, në fjalimin e tij të natës. Zelenskiy tha se ai tani ishte i fokusuar në “shpejtësinë” në zonat e çliruara. “Shpejtësia me të cilën lëvizin trupat tona. Shpejtësia në rikthimin e jetës normale”, tha ai.

Trupat ruse e kanë goditur termocentralin bërthamor Pivdennoukrainsk në rajonin jugor të Mykolaiv të Ukrainës herët të hënën, por reaktorët e tij nuk janë dëmtuar dhe po punojnë normalisht, tha kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës Energoatom. Një shpërthim ndodhi 300 metra larg nga reaktorët dhe dëmtoi ndërtesat e termocentralit pak pas mesnate, tha Energoatom në një deklaratë. Sulmi dëmtoi gjithashtu një hidrocentral aty pranë dhe linjat e transmetimit.

Zyrtarët ukrainas thonë se 200 ushtarë rusë kanë vdekur në një sulm të dielën kur një raketë goditi një ish-strehë autobusi ku ata ishin vendosur, në qytetin e vijës së parë të Svatove. Sipas Institutit për Studimin e Luftës, Rusia nuk ka arritur të dërgojë përforcime. Tani është nën presion dhe është e ndjeshme ndaj një kundërsulmi të mëtejshëm, tha grupi i ekspertëve.

Forcat e armatosura të Ukrainës thanë se trupat kishin kaluar lumin Oskil gjatë fundjavës, duke shënuar një tjetër moment historik të rëndësishëm për kundërsulmin në rajonin verilindor të Kharkiv. Lumi rrjedh në jug në Siversky Donets, i cili gjarpëron nëpër Donbas, fokusi kryesor i pushtimit të Rusisë.

Pushtimi rus i Ukrainës mund ta shkaktojë rritjen afatgjatë të çmimeve të drithit me 7% dhe ti rrisë emetimet e gazeve serrë nëse prodhimi në pjesë të tjera të botës zgjerohet për të përmbushur çdo mungesë, zbuloi një studim i botuar në Nature Food. Rusia dhe Ukraina së bashku eksportojnë rreth 28% të furnizimit me grurë në botë.

Një gjykatë në Luhansk, e kontrolluar nga rebelët, ka dënuar me 13 vjet burg dy punonjës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, me akuza për tradhti. Kryetari i OSBE-së Zbignieë Rau e dënoi ndalimin “të pajustifikueshëm” të anëtarëve të misionit që nga shpërthimi i luftës, duke e quajtur atë “asgjë veçse teatër i pastër politik … çnjerëzor dhe i neveritshëm”./The Guardian

Pbrgatiti: Nuhi Shala