Ilustrim, një gjimnaz i shkatërruar si pasojë e luftës në Ukrainë

Rusia e bombardon Ukrainën për të dytën ditë me radhë

Rusia ka shënjestruar Ukrainën me një valë tjetër sulmesh ajrore, një ditë pasi kreu sulmet më të mëdha të luftës.

Sirenat e alarmit janë dëgjuar të martën në mëngjes në Ukrainë, derisa monitoruesit ukrainas kanë detektuar se Rusia ka lansuar raketa hipersonike. Është raportuar edhe për sulme masive me dronë, raporton BBC.

Forcat ajrore ukrainase thonë se mbarë vendi është nën kërcënimin e një sulmi me armë balistike.

Në një deklaratë të shkruar nga Ministria ruse e Mbrojtjes thuhet se armë me rreze të gjata dhe me saktësi të madhe janë përdorur në sulmet kundër stacioneve të rrjetit energjetik të Ukrainës, por edhe ndaj infrastrukturës në përgjithësi, përfshirë Kievin, Lvivin, Kharkivin dhe Odesën me rajone.

Së paku gjashtë persona është raportuar se kanë vdekur si pasojë e sulmeve ndërmjet së dielës dhe së hënës dhe shumë të tjerë janë plagosur në rajone të ndryshme ukrainase pas sulmeve me raketa dhe dronë.

Sulmet kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në shumë qytete, derisa është prekur edhe sistemi i ujittë pijshëm.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka quajtur “të egra” sulmet ruse, duke theksuar se Uashingtoni do të vazhdojë ta përkrahë sistemin energjetik të Ukrainës.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, i ka dënuar “sulmet e fundit ruse me raketa dhe dronë kundër infrastrukturës civile”.

Tre persona janë rpaortuar të vdekur në rundin e ri të sulmeve. Në rajonin e Zaporizhias, kryetari i rrethit, Ivan Fedorov, ka thënë se një burrë është vrarë dhe një grua është plagosur në qytetin Zaporizhia.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com