Rusia “do të kundërpërgjigjej” nëse SHBA-ja vendos raketa në Japoni
Rusia ka paralajmëruar të mërkurën (27.11.2024) se nëse Shtetet e Bashkuara vendosin raketa në Japoni, kjo do të kërcënonte sigurinë ruse dhe do ta shtynte Moskën të hakmerrej, ka raportuar Reuters.
Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo raportoi të dielën se Japonia dhe SHBA-ja synojnë të përpilojnë një plan të përbashkët ushtarak për emergjencë të mundshme në Tajvan, që përfshin vendosjen e raketave.
Kyodo citoi burime të paidentifikuara amerikane dhe japoneze të kenë thënë se sipas planit, SHBA-ja do të vendosë njësi raketash në Ishujt Nansei të rajoneve jugperëndimore të Japonisë Kagoshima dhe Okinawa, si dhe në Filipine.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, akuzoi Japoninë për përshkallëzimin e situatës rreth Tajvanit që të justifikojë thellimin e lidhjeve ushtarake me Uashingtonin.
“Ne e kemi paralajmëruar vazhdimisht palën japoneze se nëse, si rezultat i një bashkëpunimi të tillë, raketat amerikane me rreze të mesme veprimi do të shfaqen në territorin e saj, kjo do të përbëjë një kërcënim real për sigurinë e vendit tonë dhe ne do të detyrohemi të marrim masat e nevojshme, hapat adekuat për të forcuar aftësitë tona mbrojtëse”, paralajmëroi ajo.
Zakharova ka deklaruar se Tokio mund të ketë një ide se çfarë do të përfshinin hapat duke lexuar doktrinën e përditësuar bërthamore të Rusisë, të botuar javën e kaluar, e cila zgjeroi listën e skenarëve sipas të cilëve do të konsideronte përdorimin e armëve bërthamore.
Të hënën, zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, deklaroi se Rusia do të konsideronte vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi në Azi, nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosnin raketa të ngjashme në kontinent.
E pyetur për këtë deklaratë, Zakharova nuk pranoi të tregonte se ku mund të vendoste Rusia armë të tilla, por spikati se gjysma e territorit të saj shtrihet në Azi, kështu që çdo raketë ruse e vendosur në lindje të Uraleve, do të ishte në atë rajon.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com