Ilustrim, Foto: Pixabay

Rusia burgos dy figura teatri për dramën për gratë e “Shtetit Islamik”

Një dramaturge dhe një regjisore teatri janë shpallur fajtore nga një gjykatë ruse pse “kanë justifikuar terrorizmin” në Moskë, raporton BBC.

Regjisorja Yebgenia Berkovich dhe dramaturgia Svetlana Petrichuk janë dënuar me nga gjashtë vjet burg secila për dramën e tyre “The Brave Falcon Finist”.

Me elemente të theksuara të bazuara në ngjarje të vërteta, drama shpalos rrëfimin e grave ruse të cilat udhëtuan në Siri gjatë luftës së atjeshme civile për t’i martuar anëtarët e “Grupi i Shtetit Islamik në Siri”.

Avokatja e dy grave ka bërë të ditur se do ta apelojë verdiktin.

Në procesin e mbajtur prapa dyerve të mbyllura, gjykimi ka ngritur alarmin për lirinë e shprehjes në Rusi në mesin e anëtarëve të komunitetit artistik. Pos dënimit me burg, dy grave do t’u ndalohet “administrimi i uebfaqeve” tre vjet pas lirimit.

Në paraburgim prej majit 2023, ato tani do të dërgohen në qendër burgimi për të vuajtur dënimin, ka bërë të ditur agjencia ruse e lajmeve, RBC.

Prokuroria ka pretenduar se gratë kishin formësuar një opinion pozitiv për “Shtetin Islamik”, ndërkaq prokurorja Yekaterina Denisova ka pretenduar se drama kishte shenja të justifikimit të terrorizmit”, raporton RBC.

Në fillim të procesit në fundmaj, Berkovich 39 vjeçe, dhe Petrichuk 44, kanë thënë se kishin inskenuar dramën në teatër sepse kundërshtonin terrorizmin. Berkovich ka thënë se drama u realizua me qëllim që “të parandalohej terrorizmi”. Ajo ka përsëritur se nuk ndjen asgjë për terroristët, pos “neverisë dhe dënimit të terrorizmit”.

“Nuk kam absolutisht asnjë ide se përzgjedhja e këtyre fjalëve ka të bëjë me mua. Asnjëherë nuk kam ndarë ndonjë formë islami, radikal, ose çfarëdo tjetër”, ka thënë Berkovich. Edhe ajo, edhe Petriychuk kanë thënë se ndihen të pafajshme kundrejt akuzave.

Duke folur pas dënimit të grave, avokatja Ksenia Karpinskaya, e ka përshkruar procesin si “absolutisht ilegal” dhe “të padrejtë”, dhe është zotuar se ka “pak shpresë” se apeli mund të vendosë ndryshe.

Mbështetësit e grave të dënuara kanë thënë se përndjekja penale e tyre lidhet kryekëput me një seri poemash që Berkovich kishte shkruar me qasje kritike ndaj agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Shumë figura të njohura ruse janë bërë caqe të përndjekjes penale prej fillimit të luftës në dimrin e vitit 2022.

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com