Burimi: Shutterstock, 28.05.2019

Rusia brengoset që Amerika po i ofron Kosovës pajisje ushtarake

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë përmes zëdhënëses se saj ka shkruar se janë të brengosur me faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke e pajisur Forcën e Sigurisë së Kosovës me mjete ushtarake.

Sipas Rusisë, një veprim i tillë i Amerikës ulë përpjekjet ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe stabilitet në Ballkan.

Poashtu, shtojnë se një fakt i tillë është shkelje e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

FOTO: Automjetet e blinduara që Shtetet e Bashkuara ia dhuruan Ushtrisë së Kosovës

Muajin e kaluar, FSK ka përmbyllur me sukses misionin e saj në stërvistjen ‘Defender Europe 2021’ në të cilën ishin pjesëmarrës 27 shtete. Demonstrimi i aftësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është vlerësuar lartë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i kanë paraprirë stërvitjes.

“Gjatë dy javëve të fundit, anëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës morën pjesë në angazhime si pjesë e stërvitjes më të madhe shumëkombëshe, të udhëhequr nga Ushtria Amerikane ‘DEFENDER-Europe 21’”, thuhej në postimin e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, bërë në llogarinë e tyre në rrjetin social Facebook.

Edhe nga drejtuesit e Kosovës, përgatitja e ushtarëve kosovar është konsideruar lartë, ndërsa pjesëmarrja e tyre krah aleatëve më të mëdhenj të vendit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e kanë quajtur gatishmëri që edhe Kosova të kontribuoj në ofrimin e ndihmës për të krijuar e ruajtur, paqen dhe stabilitetin e sigurinë kudo në botë.

Presidentja e Kosovës dhe komandantja supreme e FSK-së, Vjosa Osmani në një vizitë në ushtrimin ushtarak ‘Defender 21’, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është sinonim i shtetësisë sonë.

“Ushtria jonë është rritur e është zhvilluar mbi këtë vizion për ushtri moderne, të cilën ju po e jetësoni çdo ditë me profesionalizimin tuaj. Jam e lumtur sot që të shoh jo si ushtri moderne por edhe në partnerit të besueshëm me aleatët tanë, synimet e të cilëve përkojnë me qëllime tona strategjike”, tha Osmani.

Kryeministri Albin Kurti, tha se ky ushtrim tregon se FSK është e gatshme dhe e përkushtuar që të mbrojë sovranitetin e vendit.

“Veçanti e ushtrimit ‘Defender 21’ lidhet me faktin që partneri ynë strategjik ShBA-të, i dhanë besimin vendit tonë dhe FSK që për herë të parë të mirëpres këtë ushtrim në territorin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

KALLXO.com ka përcjellur nga afër këto stërvitje të FSK-së.

Poashtu vlen të përmendet që ShBA ka ndihmuar FSK-në në vitin 2018 me 24 automjete ushtarake amerikane.