Flamuri i Rusisë - Foto: REL/Reuters

Rusia bllokon qsajen në Facebook

Qeveria e Rusisë ka marrë sot vendim që të bllokojë qasjen në rrjetin social “Facebook ” në Rusi, njofton shërbimi federal për mbikëqyrjen e komunikimit.

Sipas njoftimit, që nga tetori 2020, janë regjistruar 26 raste të diskriminimit të mediave ruse dhe burimeve të informacionit nga Facebook.

“Ditët e fundit, rrjeti social ka kufizuar qasjen në llogaritë: kanali televiziv Zvezda, agjencia e lajmeve RIA Novosti, Sputnik, Russia Today, burimet e informacionit Lenta.ru dhe Gazeta.ru”, thuhet tutje në komunikatë.

Sot është dita e nëntë e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, lufta e parë tokësore në Evropë në dekada.

Luftimet kanë vazhduar të intensifikohen në qytetet kryesore, ndërsa më shumë se një milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje në eksodin më të shpejtë të refugjatëve këtë shekull.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.