Burimi: Shutterstock, 28.05.2019

Rusia arreston një shtetas gjerman nën dyshimin për sabotazh hekurudhash

Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) i Rusisë ka bërë të ditur më 10.12.2024 se ka arrestuar një qytetar me shtetësi gjermane dhe ruse me dyshimin se po përgatiste një akt sabotazhi në një hekurudhë në Nizhny Novgorod, qytet rreth 450 kilometra në lindje të Moskës, ka raportuar Reuters.

FSB-ja nuk e ka treguar emrin e të arrestuarit, por ka bërë të ditur se është i lindur më 2003. Ka njoftuar se autoritetet kishin gjetur një pajisje të improvizuar eksplozivi në shtëpinë e tij, si dhe dëshmi që përkonin me një anëtar të shërbimeve speciale ukrainase.

Shërbimi shtetëror i sigurisë dhe inteligjencës i Ukrainës nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës për koment nga ana e Reutersit.

Zyrtarët rusë e kanë lidhur të dyshuarin me grupe pro-ukrainase sabotazhi, duke i akuzuar këto grupe për sulme të shumta ndaj hekurudhave me synimin për të shkatërruar linjat e furnizimit ushtarak në Ukrainë në luftën që Moska e nisi në shkurtin e vitit 2022.

Agjencia për spiunazh të brendshëm e Ukrainës është akuzuar edhe për detonimin e eksplozivëve në linja hekurudhore brenda Rusisë.

Portali i lajmeve të ushtrisë ruse “Zvezda” ka publikuar të martën një xhirim ku shihet burri ruso-gjerman, por me fytyrën të mjegulluar, derisa dëshmon për krimin e kryer. Nuk dihet nëse burri kishte dëshmuar vullnetarisht.

Në xhirim ai thotë se kishte arritur në Rusi në vitin 2023 dhe se ishte takuar me një burrë që në internet i ishte paraqitur si Artyom, që doli se ishte “anëtar i shërbimeve speciale ukrainase”.

Ai ka thënë se ky burrë i kishte propozuar që të hidhte në erë një linjë hekurudhore, ku qarkullonin trenat për furnizim me mallra. FSB-ja ka ngritur rast penal ndaj tij.

Nuk është hera e parë që Rusia arreston individë me shtetësi ruso-gjermane, por asnjëherë nuk ka publikuar identitetin e tyre.

Ministria e Jashtme gjermane nuk e ka komentuar kërkesën e Reutersit për arrestimit.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com