Presidenti rus, Vladimir Putin

Rusi, një kundërshtar i Putinit dërgohet në ushtri në Arktik

Kundërshtari më i madh i Vladimir Putinit, Alexei Navalny, ka akuzuar të mërkurën autoritetet ruse se kanë “rrëmbyer” një prej bashkëpunëtorëve të tij, i arrestuar pas një bastisjeje dhe menjëherë e kanë dërguar në Arktik për ta kryer shërbimin ushtarak.

“Ata e kanë thyer derën e Rouslan Chaveddinov, e kanë rrëmbyer, e kanë hipur menjëherë në avion dhe e kanë dërguar diku në Arkhangelsk, ku e kanë transportuar në një konvoj me plot policë”, ka shkruar Navalny në Twitter, raporton AFP.

Rouslan Chaveddinov, 23 vjeç, është një bashkëpunëtor i organizatës së Alexei Navalnyt, Fondi i luftës kundër korrupsionit, e klasifikuar sivjet si “agjente e huaj” dhe shënjestër e një hetimi për “shpëlarje parash”.

Sipas Navalnyt, bashkëpunëtori i tij është dërguar në një bazë në ishullin e Novaya Zemlya, në Arktikun rus, ku gjenden të stacionuara dy divizione të sistemeve kundërajrore të dorës së fundit “S-400”.

Kryetarja e OJQ-së “Komiteti i Nënave të ushtarëve”, Valentina Melnikova, ka thënë për AFP se është e pazakontë për ushtrinë të dërgojë rekrutë në baza të largta në Arktik dhe të njohura për kushte të vështira meteorologjike.