Rushiti: Ligji i pagave është sakatosur pasi ka dalë nga Qeveria

Visar Rushiti nga Demokracia Plus është shprehur se Ligji për paga në sektorin publik ka qenë i mirë në fillim por problemet me të kanë filluar pasi ka dalë nga Qeveria e Kosovës.

“Ligji për paga është nis i mirë, kam marrë pjesë në diskutime publike e grupe punuese mirëpo atë prishjen më të madhe ka ndodh në momentin që ka dalë prej qeverisë. Mirëpo është sakatos, në kohën kur është lexu, shqyrtu në Kuvend të Kosovës”, ka deklaruar Rushiti në emisionin “Jeta në Kosovë”, përballë Jeta Xharrës.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, ku është trajtuar punësimin në institucionet publike, Rushiti ka potencuar edhe ndryshimet që janë bërë në ligj në kohën kur ai ka shkuar në Kuvendin e Kosovës.

“Është ndryshu krejt tabela, janë ndryshu gradat, koeficientët dhe është miratu në formën qysh është miratu. Për me konkludu, ky ligj ka defekte”, ka theksuar Rushiti.

Ligji i ri i pagave për sektorin publik është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.

Në emisionin Jeta në Kosovë, ku është trajtuar tema e punësimit në institucionet publike kanë qenë të ftuar, Naser Shamolli, drejtor i Zyrës Ligjore në MAP; Driton Selmanaj nga LDK, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, Burim Tahiri, këshilltar i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit; Safet Berisha, drejtor në Departamentin Ligjor në ZKA dhe Visar Rushiti nga Demokracia Plus.

Në pjesën e parë të emisionit Jeta në Kosovë, përballë Jeta Xharrës ka qenë i ftuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Mustafa foli për shumë tema të aktualitetit politik, përfshirë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së ardhshme.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: