Rusët me mendje liberale kërkojnë strehë në Serbinë pro-Putiniane

Në një shesh qendror në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, dhjetëra rusë u mblodhën së fundmi për ta denoncuar luftën e presidentit Vladimir Putin në Ukrainë, duke mbajtur fotografi të të burgosurve politikë nga atdheu i tyre.

Përtej sheshit, një billbord reklamon median ruse të propagandës RT, e cila ka hapur një portal lajmesh në internet në vend, por është i ndaluar diku tjetër në Evropë. Portretet heroike të një Putini me gjoks të zhveshur zbukurojnë bluza me suvenire dhe filxhanë kafeje, ose janë pikturuar në muret e qytetit.

Këto pamje kontradiktore i pasqyrojnë marrëdhëniet komplekse dhe delikate këto ditë midis Rusisë dhe Serbisë.

Shteti sllav, Serbia, është aleati më i afërt i Moskës në Evropë, me lidhje historike, fetare dhe kulturore që forcohen nga fushatat e ndikimit politik të Kremlinit. Rusia e mbështet pretendimin e Serbisë mbi ish-krahinën e saj të Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen e Perëndimit. Dhe Serbia ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë.

Në të njëjtën kohë, Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Presidenti populist i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka denoncuar pushtimin rus dhe rreth 200,000 rusë kanë vërshuar në Serbi në vitin e kaluar, me shumë prej tyre që kërkojnë një jetë të re në një tokë vëllazërore.

“Këtu në Beograd, ne nuk perceptohemi me armiqësi, dhe kjo do të thotë shumë”, thotë Anastasia Demidova, e cila ka ardhur në këtë shtet ballkanik nga Moska tre muaj më parë.

“Kam folur me shumë serbë këtu dhe me të huaj të tjerë. Kur më pyesin “çfarë po bën këtu”, unë them: “Ne jemi kundër Putinit dhe për një Rusi demokratike dhe ne jemi kundër luftës në Ukrainë, padyshim”, thotë ajo për Associated Press.

Të tjerë thonë se ata u larguan nga Rusia për të mos u ftuar në luftë ose për shkak se sanksionet perëndimore i gjymtuan bizneset e tyre ose u morën vendet e punës.

Si rezultat, rusishtja mund të dëgjohet të flitet kudo në Beograd, një qytet me rreth 2 milionë banorë. Restorantet dhe kafenetë në pronësi ruse janë shfaqur kudo. Ndërmarrjet private ruse janë rritur si kërpudha, veçanërisht në sektorin e IT. Fluksi ka çuar në rritje çmimin e pasurive të paluajtshme.

Kjo i kujton disave këtu valën e rusëve që ikën nga Revolucioni Bolshevik më 1917, dhe shumë nga ata që qëndruan në Serbi lanë gjurmë në kulturën dhe artin e saj.

Këta rusë modernë, megjithatë, po mbajnë lidhje me atdheun e tyre, duke përfshirë lidhjet financiare, thotë historiani Aleksej Timofejev. Ndryshe nga paraardhësit e tyre, shton Timofijev, ata nuk mund të vazhdojnë tutje në Perëndim për shkak të sanksioneve dhe ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet më të pasura në Evropë.

“Ata nuk e zgjodhën këtë vend, por erdhën këtu sepse është i vetmi vend që do t’i pranonte”, shtoi Timofejev.

Të sapoardhurit thonë se mund ta ndiejnë ende ndikimin e rëndë të Moskës, veçanërisht kur bëhet fjalë për miratimin e Putinit nga serbët, nëpërmjet mediave siç është RT.

Aktivisti rus Petar Nikitin e quan atë një “përpjekje të koordinuar propagandistike”.

Nikitin erdhi për herë të parë në Serbi në fillim të viteve 2000. Në atë kohë, “ky admirim për qeverinë ruse ishte shumë më margjinal … dhe e pashë të rritej në mënyrë eksponenciale”, thotë ai.

Rusët “që erdhën së fundmi, të cilët nuk dinin shumë për Serbinë më parë, po, shumë prej tyre më thanë se ishin krejtësisht të tronditur kur panë këtë idhullim veçanërisht të Putinit dhe këtë tablo të Rusisë që është plotësisht e ndarë nga realiteti”, thotë Nikitin. 

Moska e ka rritur këtë ndjenjë në mediat pro-ruse duke ushqyer zemërimin serb me Perëndimin për Kosovën pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990. Mosmarrëveshja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ka qenë një burim tensioni që nga lufta e viteve 1998-99 që përfundoi me një fushatë bombardimi i NATO-s e cila e detyroi Serbinë të tërhiqej nga ish-krahina serbe pas një sulmi të përgjakshëm konfliktual kundër separatistëve shqiptarë të Kosovës dhe civilëve.

Refuzimi i Serbisë ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës e ka mbështetjen e Moskës zyrtare – një nga arsyet pse Beogradi mban marrëdhënie miqësore me Putinin dhe ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore.

Ndërkohë që Vuçiq e ka kritikuar pushtimin rus të Ukrainës, ai i vë një orientimi unik ballkanik.

“Ne e mbështesim integritetin territorial të Ukrainës, siç e mbështesim integritetin territorial të Serbisë”, ka deklaruar Vuqiç në Forumin Ekonomik Botëror në Davos muajin e kaluar. “Pra… ata më pyesin: ‘A është Krimea pjesë e Ukrainës apo e Rusisë?’ Po, është pjesë e Ukrainës. Donbasi është pjesë e Ukrainës. Nëse na pyesni ne”.

Serbia”do t’i përmbahet kësaj dhe ne do të jemi më besnikë ndaj integritetit territorial të vendeve anëtare të OKB-së se shumë të tjera që ndryshuan qëndrimin e tyre për integritetin territorial të Serbisë”, deklaroi Vuçiq, duke iu referuar mbështetjes për pavarësinë e Kosovës nga Uashingtoni dhe vendet e tjera. 

Zyrtarët perëndimorë e kanë rritur presionin ndaj Vuçiqit për t’u distancuar nga Moska nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE. Ata kanë frikë se Rusia mund të shkaktojë telashe në Ballkan përmes përfaqësuesve të saj serbë për t’a shmangur një pjesë të vëmendjes ndërkombëtare nga Ukraina.

Kohët e fundit, kontraktori ushtarak privat rus Wagner Group publikoi reklama në gjuhën serbe në median RT ku bëhej thirrje për rekrutim të serbëve për të luftuar në Ukrainë. Është e paligjshme që serbët të marrin pjesë në konflikte jashtë vendit, megjithëse rreth një duzinë sosh iu bashkuan separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore pas betejave që shpërthyen atje në vitin 2014.

Në pronësi të oligarkut të lidhur me Putinin, Yevgeny Prigozhin, Wagner Group ka marrë një rol të spikatur dhe aktiv në Ukrainë dhe gjithashtu i ka dërguar mercenarët e tij në disa vende afrikane. Muajin e kaluar, këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA Derek Chollet zhvilloi bisedime me Vuçiqin për t’ia shprehur atij shqetësimet rreth aktiviteteve të grupit ëagner në Serbi.

Nikitin, aktivisti rus i cili e ka themeluar një grup të quajtur Komuniteti Demokratik Rus, është bashkuar me një avokat serb për të ngritur një padi duke kërkuar një hetim të këtij grupi mercenar. Kjo rezultoi në rritjen e kërcënimeve kundër rusëve më liberalë nga organizatat serbe të krahut të djathtë me lidhje të ngushta me Wagnerin dhe Moskën.

“Kërcënimet që marr direkt dhe në kutinë time postare janë të formuluara me mjaft kujdes – ato janë mjaft të dukshme”, thotë Nikitin. “Ato variojnë nga thirrjet si ‘largohuni nga Serbia’ deri tek ofendimet shumë të turpshme që përfshijnë familjen time. Dhe kërcënime të fshehta se së shpejti do të takohem me njerëz që kanë vdekur”.

Nikitin thotë se bashkatdhetarët e tij me mendje më liberale në Serbi janë të etur për të treguar se nuk e mbështesin luftën e Putinit ose sulmin e tij ndaj grupeve opozitare në vend.

“Duam të jemi shumë të hapur për atë se kush jemi dhe pse i mbajmë pikëpamjet që mbajmë”, thotë ai.

Artem, një zhvillues uebi 33-vjeçar nga Shën Petersburgu, thotë se iku në Serbi me gruan e tij dhe dy kafshë shtëpiake menjëherë pasi filloi lufta më 24 shkurt. Artem foli me AP me kusht që mbiemri i tij të mos përdoret për “arsye sigurie”.

Duke folur në një kafene të Beogradit që është një qendër jozyrtare për rusët më liberalë – fjalëkalimi i Wi-Fi i tij është “Nowar2402” – ai tha se po i ndihmon refugjatët ukrainas në Serbi përmes fushatave të ndihmës në internet, duke ofruar informacion se si ta fillojnë një jetë të re.

Largimi nga Rusia “ishte një lloj proteste sepse nuk isha dakord fare me luftën”, thotë Artem. /The Associated Press

 

Përgatiti: Nuhi Shala