(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter

Rundi i ri i dialogut në nivel kryenegociatorësh, BE-ja konfirmon datën

Takimi i ardhshëm mes kryenegociatorëve të dialogut Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, pritet të mbahet më 17.12.2024.

Palët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen për këtë takim.

Kështu konfirmoi për KALLXO.com, zëdhënësja e Bashkimit Europian, Anitta Hipper.

Pa dhënë të tjera detaje, Hipper ka njoftuar se në këtë takim do të shqyrtohet zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

“Takimi i radhës i kryenegociatorëve do të zhvillohet më 17 dhjetor, palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre dhe do të shqyrtojnë një sërë çështjesh, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”- thuhet në përgjigjen e plotë.

Këshilltari politik i Bislimit, Klisman Kadiu ka konfirmuar për KALLXO.com se fokusi i diskutimeve do të jetë në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit.

Bislimi pak ditë më parë ka folur lidhur me takimin e 17 dhjetorit, për të cilin ai ka thënë se nuk do të duhej të prodhonte pritshmëri.

“Ai po ndodh në një moment kritik për tre arsye. E para, kemi sulmin terrorist në kanalin e Ibër Lepencit. Kemi ardhjen e figurave të reja në Komision, të cilat do të jenë përgjegjëse për dialogun. Dhe kemi shkuarjen e zotit Lajçak, i cili e përfundon mandatin si emisar. Rrjedhimisht, kjo nuk është periudha më e mirë për të nisur diçka më të madhe, por edhe me gjasë nuk ka edhe gatishmëri nga pala serbe që të merremi seriozisht me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit, të vitit 2023”- ka thënë Bislimi për Zërin e Amerikës.

Takimi i fundit i mbajtur më 26.10.2024, ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nën udhëheqjen e emisarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, nuk dha rezultate në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes bazë për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndërsa, takim i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq i zhvilluar më 14 shtator 2023, rezultoi pa ndonjë përparim.

Kurti vendosi në takimin e fundit të dialogut në Bruksel tri kushte, që sipas tij janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.

Për Kurtin, pa dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Dy kushtet tjera të Kurtit, që ai i quan paqësore janë nënshkrimi i Marrëveshjes dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.

Kurti dhe Vuçiqi zhvilluan takime ndaras me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas më 03.12.2024. Këto takime dypalëshe nuk janë pjesë e dialogut për normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

Takimet e Kallas me krerët e Kosovës dhe Serbisë u mbajten disa ditë pas një shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, në veri të Kosovës.

Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do të hetojë këtë rast.

Shpërthimi që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si sulm terrorist.

Bashkimi Europian e ka cilësuar sulmin e 29 nëntorit në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit Jovan Viqentijeviq lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, më 29.11.2024.

Ndërkaq, me 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.02.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.