“Rund 2” e “A ma lirë një shishe ujë a një ari tokë?” – Deputetja Matoshi me pankarta para deputetëve

Pas sulmit fizik që ndodhi mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Adriana Matoshi, doli dy herë me një letër në duar para kolegëve të saj.

Fillimisht në letrën e bardhë që ajo mbante në duar shkruante “Rund 2”. E më pas ajo prapë doli para deputetëve me një letër tjetër ku shkruante: “A ma lirë një shishe ujë a një ari tokë?”.

Seanca e sotme plenare u shoqërua me tensione të njëpasnjëshme.

Në pjesën e parë të seancës pati edhe përleshje fizike mes deputetëve e ministrave.

Situata filloi të tensionohet gjatë kohës sa ishte duke mbajtur fjalim kryeministri Albin Kurti, kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, ku shihej kreu i ekzekutivit më hundë të madhe.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karrigia dhe ka grisur fotografinë.

Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bislimi, në mbrojtje të të cilit erdhi ministri i Financave, Hekuran Murati.

Lushtaku shihet duke e shtyrë fizikisht ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun. Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqj shihet duke goditur fizikisht ministrin Murati.

Ndërsa shihet duke e goditur dikë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Pas kësaj, kanë ndërhyrë edhe deputetë të tjerë të LVV-së e të PDK-së. Mbrojtja e afërt e kryeministrit Kurti ka reaguar menjhëherë duke e siguruar atë.

Kuvendi shkoi në pauzë për më shumë se dy orë e pas rinisjes së seancës filluan prapë tensione.

Kjo pasi deputetë të partisë në pushtet dhe opozitës kanë filluar të shtyhen mes vete, kur Kuvendi vazhdoi një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Madje, gjatë kësaj kohe edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, u gjuajt me shishe.

Në nisje të seancës deputetët e PDK-së, kanë sjellë pankarta të mëdha me fotografitë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ku duken me hundë të madhe e me mbishkrimin “Zdravo” [“Përshëndetje”, në gjuhën serbe].

Kjo si revoltë e opozitës ndaj pushtetit, pas publikimit të disa audio-incizimeve ku dëgjohet shefja e deputetëve të LVV, Mimoza Kusari-Lila në një bisedë me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, në qershor të vitit të kaluar.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës të mbrojtjes së afërt, policë civilë e të Njësisë së reagimit të shpejtë u panë sot brenda e jashtë Kuvendit, përderisa edhe Prokuroria në Prishtinë ka iniciuar hetime për ngjarjet e sotme.