Shiriti i Policisë, FOTO-Ilustrim

Rumani, shkarkohet shefi i Policisë pas vrasjes së një vajze të rrëmbyer

Shefi i Policisë rumune Ioan Buda është shkarkuar nga ministri i Brendshëm pas një varg gabimesh nga vartësit e tij, të cilët nuk arritën t’ia shpëtonin jetën një vajze të rrëmbyer, një rast që ka tronditur tërë Rumaninë, raporton AFP.

Një i dyshuar është kapur dhe i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa hetuesit po kontrollojnë shtëpinë dhe kopshtin e 65-vjeçarit.

Alexandra, 15-vjeçe, ishte rrëmbyer të mërkurën nga shoferi i një veture teksa po bënte autostop për t’u kthyer në shtëpi, në Dobrosloveni (jug), ka shpjeguar Policia.

Të enjten në mëngjes, ajo ka arritur të telefonojë tri herë në numrin e emergjencave 112 dhe u kishte dhënë policëve shenja për vendin ku po mbahej e kidnapuar.

Sipas familjes së saj, Policia nuk e ka marrë për ngut këtë rast dhe ka intervenuar shumë vonë.

Pasi kanë bastisur tri vende të gabuara, policët kanë hyrë 19 orë pas komunikimit me vajzën në shtëpinë që u kishte thënë ajo dhe aty kishin gjetur “mbetje njerëzore” pjesërisht të djegura, në mesin e tyre edhe dhëmbë dhe bizhuteri që i përkisnin Alexandras.