Rukiqi: U pajtuam që të subvenciohen pagat dhe qiratë për bizneset e prekura nga masat e reja

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka njoftuar se nga takimi me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati janë pajtuar që sektorëve të ndikuara direkt nga masat e fundit kundër COVID-19, t’ju subvencionohen pagat e punëtorëve dhe të qerasë për 50 për qind.

Rukiqi ka njoftuar se janë dakorduar që mjetet do të ndahen në fund të muajit prill, ose me së largu në fillim të muajit maj.

“Sapo përfunduam një takim shumë përmbajtjesor me ministrin Hekuran Murati. U dakorduam, që për sektorët e ndikuar direkt nga masat e fundit të: – Subvencionohet 50% e pagave të punëtorëve (për muajin prill); – Subvencionohet 50% e shpenzimeve të qirasë (për muajin prill); – Mjetet do të ndahen në fund të muajit prill, ose më së largu në fillim të muajit maj”, thuhet në publikimin e tij në rrjetin social “Facebook”.

Ai tha se do të ndërmerren veprime shtesë për përkrahje të sektorëve me specifika të veçanta, përfshirë sektorin e transportit, pas diskutimeve që do të zhvillohen me këta sektorë.

Të mërkurën kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër COVID-19.

Në bazë të vendimit të Qeverisë, gastronomisë u është ndaluar puna për 12 ditë, nga 7 prilli deri më 18 prill.