Berat Rukiqi - Foto: REL

Rukiqi: Kemi 10 milionë euro humbje në ditë për shkak të situatës pandemike

Për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka deklaruar se dëmi deri më tani dëmi i shkaktuar është 10 milionë euro në baza ditore.

Sipas tij, nëse kjo gjendje vazhdon edhe për tre muaj, dëmi do të arrijë në 1 miliardë euro.

Ndërkaq, propozimin e ministrit të Financave që punëtorët e sektorit privat të kompensohen me 170 euro, ai e quajti të pamjaftueshme.

“Rritja ekonomike e parashikuar me 4.5% do të ulet 2.6% ose 1.5%, pasi që gjendja është shumë problematike. Në sektorë të tjerë si ndërtimi dhe prodhimi edhe aty kemi rënie të qarkullimit deri në 20%. Të gjitha sektorët janë të prekur direkt ose indirekt nga kjo”, u shpreh Rukiqi.

“Në bazë të vlerësimeve se sa janë duke punuar këta sektorë nga 240 mijë sa janë formal 120 mijë janë jashtë vendit të punës. Pra janë 120 mijë punëtorë që këtë muaj do ta marrin pagën e përgjysmuar ose fare siç është rasti i gastronomisë”, tha ai.

“Paga e propozuar minimale 170 euro po mendoj qe kjo është e ulët dhe ne besojmë që të jetë 289 euro që pak a shumë është një mesatare”, shtoi Rukiqi.

Ai tha se 100 milionë euro duhet të jepen për qarkullim nga bizneset dhe që afati i kthimit të jetë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Gjithashtu, sipas tij, duhet të pezullohen edhe përmbarimet.

Ndër propozimeve është edhe që të lirohen nga pagesat operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve me rastin e vazhdimit të rendeve të udhëtimit nga MIA dhe të subvencionohet nga ana e Qeverisë regjistrimi i automjeteve transportuese për bartjen e udhëtarëve, mallrave si dhe makineritë e pajisjet tjera të sektorit privat, si dhe të lirohet nga akciza për derivate të naftës gjatë kohës sa zgjasin masat e Qeverisë.

Ministria e Financave propozon ndarjen e 73 milionë euro për bizneset private