Rukiqi: Ka rritje të qarkullimit për shkak të diasporës dhe Trust-it

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se në muajin dhjetor ka pasur rritje të qarkullimit tek bizneset , për shkak të tërheqjes së mjeteve nga Trusti dhe ardhjes së diasporës në vend.

Ai ka thënë se këtë vit sipas të dhënave të ATK-së ka pasur rënie të qarkullimit mbi 1.2 miliardë euro me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Kjo rënie e qarkullimit tek bizneset nuk është humbje e biznesit për shkak se me disa tituj po prezantohet si humbje, është rënie e qarkullimit dhe për humbje duhet mu pa ma vonë”, tha Rukiqi.

Ai shtoi se ardhja e diasporës dhe tërheqja e parave të Trust-it është ‘dritë në fund të tunelit’.

“Ajo që është dritë në fund të tunelit për shumë biznese qarkullimi tani në këtë muaj, pasi që  po raportohet në javët e fundit një rritje të qarkullimit edhe kjo si efekt i ardhjes së diasporës dhe si efekt i daljes në qarkullim i parave të Trust-it”, tha Rukiqi.

Në fund ai tha se situata politike në vend mund të bëhet pengesë për rimëkëmbjen ekonomike.