
Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën
RTS: Petkoviq largohet nga takimi në Bruksel pas aksionit policor kundër strukturave ilegale serbe në Kosovë
Në Bruksel ishte caktuar që sot, më 15.01.2025, të mbahej takimi i parë i Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të Pagjeturit.
Televizioni serb RTS ka raportuar se shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq është larguar nga takimi, për shkak të zhvillimeve lidhur me aksionin policor kundër strukturave ilegale serbe në Kosovë.
“Kryenegociatori i Beogradit, Petar Petkoviq i ndërpreu e u largua nga bisedimet në Bruksel për shkak të terrorit të paparë e dhunës institucionale të Prishtinës e Albin Kurtit ndaj serbëve dhe mbylljes së institucioneve të shumta serbe në Kosovë.” – ka thënë delegacioni i Beogradit, më 15.01.2025.
Ngritja e këtij Komisioni është bërë në bazë të një Marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të Dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Në takim, delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga Halil Cenaj – bëri të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.
Aksioni policor në disa komuna, deklarohen ministrat Krasniqi dhe Sveçla – VIDEO
“Ka përfunduar epoka e Komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Kosovë.” – kanë deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Deklarata e tyre vjen pas aksionit policor në disa Komuna të vendit kundër strukturave ilegale serbe.
Aksioni u zhvillua edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Sveçla ka thënë se të mërkurën, më 15.01.2025, janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në: Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj, si dhe Posta e Zyra Tatimore ilegale.