Foto: Tyson Fury, Facebook.

RTK shpenzon 4 mijë euro për transmetimin e ndeshjes së boksit Fury - Whyte

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), ka dhënë tender në vlerë prej 4 mijë euro, për ndeshjen e boksit Tyson Fury  kundër Dillian Whyte.

‘Fury kundër Whyte’ zhvillohet në kuadër të boksit profesionist dhe është i vlefshëm për titullin WBC në kategorinë e rëndë.

Ndeshja do të zhvillohet të shtunën me 23 prill, në stadiumin ‘Ëembley’ të Londrës.

Fitues i kontratës është operatori nga Shqipëria ‘Smart Solutions’, ndërsa njoftimi për dhënien e kontratës është bërë publik dje me 21 prill. Procedura e tenderimit është e negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë.

Në bazë të dosjes së tenderit, të drejtat ekskluzive të transmetimit të ndeshjes për territorin e Kosovës i takojnë RTK-së.

Gjithashtu, RTK gëzon të drejtën e transmetimit të meçit kryesor dhe gjitha para meçeve që janë pjesë e kësaj ngjarje. Si dhe, në vlerën prej 4 mijë euro përfshihet e drejta televizive si dhe kostot teknike.

“Bazuar në interesimin e madh të audiencës së RTK-së për boksin në përgjithësi, e për këtë meç në veçanti, atëherë si palë kërkuese (Programi i Sportit në RTK-TV), ka konsideruar me interes të veçantë, marrjen e të drejtave televizive, për çka edhe e ka përcjellë kërkesën te strukturat menaxhuese të RTK-së, është miratuar oferta sipas vendimit te bashkangjitur”, thuhet tutje në dosjen e tenderit.

Në një dokument që është pjesë e njoftimit, i datës 21 prill, thuhet se Komisioni për vlerësimin e ofertave ka konstatuar se operatorit ‘Smart Solution’ i mungon certifikata e biznesit dhe e numrit fiskal.

Poshtu thuhet se fillimisht nuk është përmbushur validiteti i tenderit prej 60 ditëve. RTK i ka dhënë afat prej 1 ditë operatorit, që të plotësojë dokumentet e lartëcekura.

Ndërsa një dokument tjetër është i publikuar, që e mban po të njëjtën ditë, pra 21 prill, përmes së cilit bëhet publik njoftimi për dhënie të kontratës për ‘Smart Solutions’ dhe thuhet se ‘pas shqyrtimit të dokumentacionit nga ofertuesi, komisioni konstaton se operatori ekonomik ka të gjithë dokumentacionin e kërkuar..’

Kontrata është planifikuar të nënshkruhet sot me 22 prill 2022.