RTK nuk ofron qasje në CV-të e kandidatëve për pozitën e zv.drejtorit

Në procesin për përzgjedhjen e zv.drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, KALLXO.com-it i është pamundësuar qasja në CV-të e kandidatëve.

Kallxo më datë 15 gusht 2022 ka bërë kërkesë për qasje në CV-të e kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e zv.drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Më 16 gusht Shkumbin Ahmetxhekaj ka nxjerrë vendim të bazuar në kërkesën e Kallxo.com-it duke aprovuar “qasje të plotë në procesin e monitorimit të rekrutimit për pozitën zv.Drejtor i RTK”.

Mirëpo, përkundër kësaj, deri në botimin e këtij artikull RTK-ja nuk i ka ofruar Kallxo-së CV-të e kandidatëve.

Fillimisht përgjigja e Mejreme Ibrahimit, zyrtare administrative në RTK, ishte se aprovimi na është bërë vetëm për monitorim të procesit, por pa na u ofruar qasja në CV- të e kandidatëve.

Pas insistimit të Kallxo se me vendim na është aprovuar qasja e plotë në dokumentacion si dhe në monitorim të të gjithë procesit, zyrtarja në fjalë është arsyetuar se ka nevojë për kohë shtesë për ofrimin e qasjes dhe konsultim me drejtorin Ahmetxhekaj.

Konkursi për përzgjedhjen e zv.drejtorit të përgjithshëm të RTK-së është hapur më datë 29 korrik 2022 për të dytën herë, pasi RTK e anuloi këtë konkurs herën e parë.

Këtë herë kryetar i Komisionit Vlerësues është Zeljko Tvrdisiq, drejtor i RTK2, i cili nuk e flet gjuhën shqipe dhe intervistimet e kandidatëve duhet t’i bëjë përmes përthyesve për shkak se 6 kandidatët janë shqiptar.

Çështja e përkthimit dhe kuptimit të drejtë deri në detaje e të gjithë procesit përzgjedhës ishte bërë temë edhe gjatë përzgjedhjes së drejtorit gjeneral të RTK-së në qershor të këtij viti kur monitorimi i KALLXO.com kishte identifikuar që në një moment kryesor vendimmarrës përkthyesi i RTK-së nuk kishte qenë prezent për Ivan Raduloviqin, anëtarin serb të bordit të RTK-së.

Anëtari i bordit Ivan Raduloviqin, po ashtu ishte njëri nga tre anëtarët e bordit që kishin dhënë pikë identike për kandidatë të caktuar për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së në të gjitha pyetjet me shkrim.

 Zëvendës drejtori i RTK-së mund t’i ushtrojë të gjitha kompetencat e drejtorit të përgjithshëm për të cilat e autorizon Drejtori i Përgjithshëm.

Për këtë post kanë aplikuar këta kandidatë: Arsim Halili, Rilind Gërvalla, Artan Cernaveri, Adriana Kabashi, Naser Thaçi dhe Faton Mehmetaj.

Komisioni Vlerësues i kryesuar nga Zeljko Tvrdisiq dhe i përbërë nga anëtarët Fetah Gjata, Rrezarta Zekaj, Blerim Vitia dhe Pranvera Munishi- Morina, konstatoi se nga 6 kandidatët që kanë aplikuar, të gjithë i plotësonin kushtet e kërkuara për t`u thirrur në intervistë, pasi që 3 prej këtyre kandidatëve i sollën dokumentet shtesë që ju mungonin në ditën e aplikimit.

KALLXO.COM nuk ka mundur të konfirmojë a i kanë plotësuar kushtet të gjithë kandidatët për intervistim për shkak se nuk ka pasur qasje në CV-të dhe dosjet e kandidatëve.

Praktika e deritanishme është që, për rekrutimin në pozita të larta menaxheriale, RTK e ka zbatuar Udhëzimin Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik, fryma e të cilit nënkupton që së paku një anëtar i komisionit vlerësues duhet të jetë në pozitën e njëjtë me pozitën që është e hapur ose duhet të jetë pozitë më e lartë.

Në këtë rast i bie që në këtë komision për zv.drejtor, kryetar i komisionit duhet të ishte Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së. Asnjë anëtarë i komisionit nuk është së paku i barabartë apo më i lartë në pozitë se sa pozita e zv.drejtorit të përgjithshëm. Edhe Drejtori i RTK2 i përgjigjet zëvendës drejtorit të RTK-së në hierarki.

Konkursi i parë për zv.drejtor u shpall para disa javëve por dështoi. Edhe konkursi për drejtor të përgjithshëm u anulua një herë dhe u rishpall për shkak se monitorimi i BIRN konstatoi shkelje, por RTK zyrtarisht tha që u anulua për shkak të paqartësivë ligjore.

Posti për zv.drejtor të RTK-së është hapur saktë pas 6 muajve pasi që Arsim Halilit, që momentalisht e ushtron detyrën e zv.drejtorit të përgjithshëm, i ka kaluar afati për të vazhduar si U.D zëvendës drejtor. Halili është në garë për këtë pozitë.

Prokuroria Speciale ia ka konfirmuar Kallxo.com që është duke bërë hetime fillestare lidhur me shkeljet e raportuara në trajtimin gjyqësor të rastit të Arsim Halilit në të cilin janë të përfshirë gazetarë të RTK-së dhe një gjykatëse. Për shkak të profilit të lartë të personave të përfshirë në këtë hetim fillestar, me këtë rast po merret Prokuroria Speciale.

Këtë e ka konfirmuar edhe Agjencia Kundër Korrupcionit që kishte qenë duke e trajtuar raportimin për konflikt interesi që e përfshinte Halilin dhe Ahmetxhekajn.

Fillimisht, Halili ishte degraduar në pozitë nga komisioni disiplinor i RTK-së në vitin 2016 kur kishte bërë komente homofobike në profilin e tij të Facebook. Për këto komente Këshilli i Mediave të Shkruara (KMShK) kishte lëshuar vendim duke thënë që “Në postimin e Arsim Halilit ka gjuhë të papranueshme, madje denigruese ndaj komunitetit LGBTI”.

Rilind Gërvalla ka punuar redaktor i redaksisë të lajmeve ndërkombëtare për disa vjet dhe ka qenë udhëheqës i njësisë për këmbime të materialeve.

Artan Cernaveri ka punuar inxhinier i IT-së por avancimi i tij i fundit në RTK është kontestuar nga Inspektorati i Punës. Adriana Kabashi ka përvojë si redaktore e programit kulturor në RTK. Naser Thaçi ka qenë redaktor përgjegjës i RTK4. Faton Mehmetaj ka qenë anëtarë i bordit të RTK-së disa vite.

Sipas Rregullores për procedurat e përzgjedhjes së Menaxhmentit të lartë të RTK-së, kushtet dhe kriteret e veçanta që duhet kandidatët t’i plotësojnë janë: kualifikimi universitar, integriteti i lartë personal dhe profesional, të ketë së paku 4 vite përvojë pune të menaxhimit në media ose në fusha të tjera relevante, të zotërojë ndonjërën nga gjuhët zyrtare të RKS në të folur dhe në të shkruar, njohja e gjuhës angleze konsiderohet përparësi, aftësi për caktimin e prioriteteve dhe për të punuar në mënyrë efikase nën presion kohor, aftësi për të bashkëvepruar me maturi dhe ndjeshmëri me kolegë dhe palë.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për RTK-në mund t`i lexoni duke klikuar në LINK