RTK nuk e shfaqi seancën e Kuvendit në kanalin kryesor, opozita shpreh revoltën para televizionit

Deputetët e tri partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e kanë quajtur “mbytje të fjalës së lirë dhe mbytje të zërit opozitar”, mostransmetimin e seancës së jashtëzakonshme në kanalin kryesor të Radiotelevizionit të Kosovës.

Opozitarët ndërprenë punimet e seancës së jashtëzakonshme për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për t’u nisur drejtë objektit të RTK-së në shenjë pakënaqësie.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri u shpreh se RTK e ka zhvendosur seancën e Kuvendit “në një program periferik [RTK3], duke mos e transmetuar në program qendror [RTK1]”.

“Sot, kur në Kuvendin e Kosovës duhej të shpërfaqej një aferë e cila kap keqpërdorime rreth 20 milionë euro. Në këto momente RTK-ja, qoftë drejtori gjeneral, Dejona apo kushdo tjetër, vendosi atë që s’kishte ndodhur më parë: e zhvendosi seancën e Kuvendit të Kosovës në një program periferik, duke mos e transmetuar në program qendror. Është e papranueshme kjo, pasi pikërisht sot qytetarët e Kosovës duhet të dëgjonin se si vidhen nga kapelat e zeza 20 milionë euro përmes ujit të pijshëm të vendit tonë”- deklaroi Tahiri.

Ai i ka bërë thirrje drejtorit të RTK-së dhe anëtarëve të Bordit të televizionit që të japin dorëheqje nga këto pozita.

“I bëjë thirrje ushtruesit të detyrës së drejtorit të RTK-së dhe anëtarëve të Bordit të japin dorëheqje nga këto pozita. Ata s’mund të jenë drejtues të RTK-së. S’mund të udhëheqin me RTK-në, e mbysin fjalën e lirë, e mbysin zërin opozitar”- theksoi Tahiri i PDK-së.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka deklaruar se mostransmetimi i seancës së sotme “nënkupton mbytje të zërit të deputetit dhe fshehje të skandaleve që po ndodhin çdo ditë”.

“Ne e kemi thënë me kohë që kapja e këtij institucioni e ka qëllim devalvimin e vlerave në shoqëri dhe mbytjen e demokracisë. Sot është kulmi i pafytyrësisë, edhe të asaj pak shprese që ka mbetë që dikush mund të frymojë lirshëm në Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe t’i kryej detyrat dhe autorizimet e tyre ligjore sipas moralit dhe sipas ndershmërisë”- është shprehur Zemaj.

“Seanca nuk u transmetua në kanalin zyrtar të RTK-së që nënkupton mbytje e zërit të deputetit, fshehje nga e vërteta të cilat po ndodhin nga skandalet e shpërfaqura çdo ditë për afera korruptive dhe kjo do të thotë që mbytet edhe zëri i qytetarit përmes përfaqësimit që kanë deleguar në Kuvend”- tha ai.

Kurse shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se seancat parlamentare janë obligim ligjor e kushtetues të cilat sipas tij, duhet t’i përmbushë RTK-ja që t’i transmetojë mesazhet e përfaqësuesve të popullit, për shkak se siç tha ai “deputetët janë të zgjedhurit e popullit dhe mesazhi kalon tek ta vetëm përmes këtij insitutcioni”.

“Fakti që në një seancë kur po trajtohet një super skandal i kësaj qeverie, ndalet për fjalimin e kryeministrit që ishte në një konferencë, tregon shumë saktë dhe drejtë, e shpërfytyron regjimin e Kurtit se duan me ndalë fjalën, debatin, argumentin dhe ashtu siç kanë ardhë me mashtrim të mashtrojnë popullin. Ku ka logjikë që duke shku Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme me 40 nënshkrime me e ndalë dikush”- ka thënë Tahiri.

“Kjo nuk ka tjetër emër, përveç tendencë me e mbytë fjalën e lirë dhe njëkohësisht me ndalë porosinë që është e drejtpërdrejt se ka të bëjë me një qeveri e cila e kthej Kosovën mbrapa”- theksoi deputeti i AAK-së.

Në një përgjigje për KALLXO.com, drejtori i televizionit në RTK 1, 3 dhe 4, Rilind Gërvalla ka arsyetuar veprimin e sotëm. Ai thotë se për më shumë se një javë është bërë planifikimi për të përcjellë 25 vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të torturuarve të luftës dhe se sipas tij në këtë ngjarje ka pasur mysafirë të rëndësisë së lartë.

“Ka më shumë se një javë që ne kemi bërë planifikimet për ta përcjellur 25 vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të torturuarve të luftës me theks të mbijetuarat e dhunës seksuale që ka ndodhur në Kosovë. Ka patur mysafirë të rëndësisë së lartë si Nobelisti kongolez Denis Mukëege, krerët e lartë të institucioneve tona si Presidentja Osmani dhe KM Kurti, të mbijetuarat e torturave dhe dhunës seksuale”- ka thënë Gërvalla për KALLXO.com.

Gërvalla thotë se nuk kanë “kanal të veçantë të dedikuar për Kuvendin” dhe se debati është transmetuar në kanalin 3 të RTK-së.

“Nuk është e vërtetë që nuk e kemi transmetuar debatin ne Kuvend. Debati në Kuvend është transmetuar ne kanalin 3. Të gjitha kanalet në gjuhen shqipe janë të RTK-së.  Ne nuk kemi kanal të dedikuar për Kuvendin, sikurse e kanë mediat tjera publike evropiane. Ne e kemi mbajt obligimin dhe e kemi transmetuar në kanalin 3 dhe disa pjesë edhe në kanalin 1”- tha ai.

Kuvendi i Kosovës me kërkesë të 41 deputetëve ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të PDK-së.

Seanca është thirrur për të trajtuar “keqpërdorimet e rreth 11 milionë eurove të faljes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha dje se “do të trajtohet edhe udhëheqja e kundërligjshme e sistemit tonë energjetikë nga Dejona Mihali”.

Kjo është seanca e dytë e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita brenda tri ditësh. Të hënën është debatuar për çështjen e ushqimit në FSK, por as në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë deputetët e mazhorancës.

PDK vendos kapele të zeza në ulëset e deputetëve të LVV-së