Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

RTK në prag të hapjes së konkursit për drejtor të përgjithshëm

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) në mbledhjen e sotme ka miratuar kriteret për shpalljen e konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së.

Në ditët në vazhdim pritet edhe të bëhet zyrtarisht publike hapja e konkursit për këtë pozitë.

Në këtë mbledhje, mes tjerash me votim bordi ka vendosur që përvoja në menaxhim të jetë pesë vite dhe jo shtatë vite përvoje menaxheriale siç ka qenë në konkursin paraprak. Kjo ka ngritur edhe debat mes anëtarëve të bordit se sa vite duhet të jetë, pas disa prej tyre propozuan që të jetë vetëm tri vjet.

U.d i drejtorit të RTK-së ka propozuar që të hapet konkurs për 38 punëtorë për RTK 2 që transmetohet në gjuhën serbe. Mirëpo, bordi ka kërkuar kohë që kjo të analizohet. Sepse, sipas tyre, për këtë transmetues ka vite që nuk kanë shpallur as konkurs, por kanë qenë me kontratë për shërbime.

Gjithashtu bordi i RTK-së ka vendosur t’i shkëpus kontratat për shërbime të 140 punëtorëve.

Paraprakisht në mbledhjen e së mërkurës, bordi mbajti takim me përfaqësues së Sindikatës së Pavarur të RTK-së (SPRTK), të cilët adresuan shqetësimet dhe problemet e tyre duke përmendur edhe kushtet e punës. Krahas kësaj përmenden edhe vjedhjet e pajisjeve të punës, duke shtruar nevojën për një depo për ruajtjen e pajisjeve që mos të përsëritet raste e ngjajshme. Po ashtu u ngrit edhe çështja e nepotizmit,  që ndër vite SPRTK i ka bërë publike dhe i ka denoncuar.

Por që nga bordi i RTK-së, përveç që shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim thanë se me një ushtrues detyre të drejtorit është e vështirë t’i zgjidhin shumicën e çështjeve, sepse siç thanë ata, gjendja në RTK është e mjerueshme në shumë sektore.

Aktualisht ushtruesi i detyrës i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së është Shkumbin Ahmetxhekaj.

Më 19 janar bordi i RTK-së kishte shkarkuar drejtorin gjeneral, Ngadhnjim Kastrati. Ngadhnjim Kastrati ka marrë zyrtarisht detyrën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së në prill 2019. Mandati i Kastratit do të skadonte në prill të këtij viti.

Në arsyetimin e vendimit për shkarkim thuhet se Kastrati kishte dështuar për tre vite rresht të hapë konkurse për të rekrutuar punëtorët e nevojshëm për funksionim siç duhet të RTK-së.

Sipas të dhënave nga projeksioni buxhetor për vitin 2022 në RTK janë rreth 760 punëtorë.

Më 27 janar, KALLXO.com ka kërkuar të dhëna nga mediat vendore në lidhje me numrin e punëtorëve.

Dardan Belegu, drejtor i Radio Televizionit të Dukagjinit, ka thënë për KALLXO.com se në këtë media punojnë 146 persona. Ndërsa, Eugen Saraqini nga Media 21 ka thënë se kanë 186 punëtorë që operojnë 6 kanale televizive, web faqe, portal. Ndërkaq sipas një publikimi të vitit të kaluar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, Grupi Koha ka 253 të punësuar. Sipas të dhënave nga ARBK, Klan Kosova ka 190 punëtorë ndërsa Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, (BIRN) ka rreth 70 të punësuar.

Gjatë drejtimit nga Kastrati të televizionit publik kanë dalë në pah punësime në RTK të familjarëve të politikanëve, akuza nga parti të ndryshme se televizioni publik po bën propagandë për politikanë të caktuar, si dhe dyshime për keqpërdorim të buxhetit.

Po ashtu, ishte kontestuar edhe ligjshmëria e zgjedhjes së vetë drejtorit Kastrati.

“Fshesa” e bordit të ri të RTK-së preku edhe zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shalën. Po ashtu, u suspendua edhe ish-deputeti Milaim Zeka.

Gjithashtu, ndër vendimet e para të bordit të RTK-së është edhe mos blerja më e lajmeve nga agjencitë e pavarura të lajme e as emisioneve.

Ndonëse, RTK-ja e ka të obliguar me Ligj që të sigurojë së paku 15 për qind të programit të RTK-së, por jo më shumë se 20%, nga producentët e pavarur vendor në transmetimet radiotelevizive.

“RTK duhet të sigurojë së paku pesëmbëdhjetë përqind (15%) të programit të RTK-së, por jo më shumë se njëzet përqind (20%), nga producentët e pavarur vendor, në transmetimet radiotelevizive, duke përfshirë obligimet sipas nenit 9 të këtij ligji por duke mos i përfshirë këtu programet e lajmeve”, thuhet në pikën e 4 të nenit 12  për “Produksionet e pavarura”, të Ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

2 milionë e 240 mijë euro më pak i ka ndarë Qeveria e Kosovës RTK-së për vitin 2022.

RTK-ja për vitin 2021 kishte pasur 11.2 milionë euro buxhet për të shpenzuar.