Raporti vjetor financiar i RTK-së para deputetëve: Ka paguar 9 mijë euro në muaj për internet e 100 mijë për udhëtime

Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka shqyrtuar raportin vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2019.

Kryetari i bordit të RTK-së, Sali Bashota, tha se kanë pasur probleme në vazhdimësi në marrje të vendimeve për shkak të mungesës së kuorumit.

Ai tutje shtoi se RTK po vazhdon të punojë në kushte jo të mira infrastrukturore.

“Raporti shpalos të dhëna nga një periudhë kur ne nuk kemi pasur ekipin e plotë, nga 11 anëtarë kemi pasur vetëm shtatë. Ky është një raport transparent dhe në përputhje edhe me kushtet jo të mira infrastrukturore që punojmë,” ka thënë Bashota.

Kurse, kryetari i këtij komisioni, Hekuran Murati, e ka konsideruar si të papranueshëm këtë raport dhe që nuk vlen të miratohet.

“Nga ajo që po shoh në raport ky është një menaxhim skandaloz i parasë, RTK ka paguar filma nga Topshop 115 mijë euro, të drejta për transmetim të filmave dokumentar rreth 90 mijë euro, emisioni ‘Jeta në Kosovë’ që është ofruar falas për këtë vit është refuzuar, shpenzime të udhëtimeve zyrtare mbi 100 mijë euro, internet 112 mijë euro, mbi 9 mijë euro në muaj,” tha Murati.

Ai tutje shtoi se duke marrë parasysh që RTK ka rreth 900 punëtorë dikush nuk po e kryen punën si duhet pasi ka kaq shumë programe të blera.

Kurse drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, tha se RTK e ka me ligj që deri në 20% të programeve t’i ketë të kësaj natyre dhe u arsyetua se gjatë kësaj kohe nuk ka qenë në krye të RTK-së.

“Ka qenë muaji i pestë i vitit 2019 dhe këto të gjitha kanë qenë në proces, pra shpenzimet e vitit 2019 sepse unë kam marr mandatin si drejtor në gjysmë të vitit dhe të gjitha këto shpenzime kanë qenë të planifikuara.  Nuk e di për çfarë arsye ndahen këto shpenzime në këto kategori, por jam munduar që të menaxhoj sa më mirë prej ditës kur e kam marr mandatin. Ne kemi arritur ta stabilizojmë gjendjen financiare, për këtë kemi edhe një raport të Auditorit ku janë paguar më shumë se 1 milion euro borxhe nga mbi 4 milionë sa kanë qenë. Shumica e kontratave që i përmendët kanë qenë dyvjeçare dhe shumicën prej tyre unë i kam ndërprerë”, ka thënë Kastrati.

Në këtë komision nuk është miratuar ky raport i vitit 2019 dhe ka dështuar votimi në parim i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021 , për shkak të mungesës së kuorumit.