RTK-ja shpall konkurs për drejtor të përgjithshëm
Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka shpallur konkursin për drejtorin e përgjithshëm të këtij institucioni.
Data e fundit e pranimit të aplikacioneve për këtë pozitë sipas konkursit është, 23.09.2024, ora 16.00.
RTK thotë se siguron që “procedurat e përzgjedhjes janë të hapura, ofrojnë konkurrencë jodiskriminuese, objektive dhe transparente, si dhe i gjithë procesi i përzgjedhjes është transparent”.
Të gjitha detajet e këtij konkursi mund t’i gjeni në këtë- LINK.
Ish-drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj dha dorëheqje më 08.07.2024, duke thënë se kjo vjen pas një presioni politik 7-mujor. Ai kishte pretenduar se ishte ftuar në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.
“Zoti Kurti në njëfarë forme e pranonte që në RTK ka ndryshim por mendonte që duhet të ketë ndryshim shumë më të thellë. Në një moment tha që ‘mendoj që ka ardhë koha për një ndryshim të ri në menaxhment’. Nuk ishte shumë specifik që unë të largohesha por fakti që thotë ndryshime në menaxhment, atë e kuptova” – ka thënë Ahmetxhekaj.
RTK ka hapur konkurs edhe për tre anëtarë të bordit më 28.08.2024, pas dorëheqjes së kryetarit të bordit, Besnik Boletini dhe anëtarëve Arta Berisha e Safet Kabashaj. Megjithatë, Ligji për RTK-në thotë që dorëheqja duhet të njoftohet të paktën tre muaj përpara, prandaj të tre do të vazhdojnë të jenë anëtarë edhe për tre muaj pas dorëheqjes.
Dorëheqjet erdhën pas skandalit të publikimit të një artikulli në RTK të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, e cila etiketonte dy media të Kosovës si të ndikuara dhe financuara nga Serbia.
Në këtë mbledhje ishin prezentë edhe zëvendësdrejtori gjeneral i RTK-së, Adi Krasta, drejtori i radios, Arsim Halili dhe drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla.
Prej bordit mungoi vetëm Safet Kabashaj, i cili sipas nënkryetares Albulena Mehmeti nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Anëtarët e tjerë, Fatime Lumi Qehaj, Dardan Beqiri dhe Radojica Mrdijinac ishin prezentë fizikisht, ndërsa tre anëtarët e tjerë, Biroll Urcan, Besnik Boletini dhe Arta Berisha u lidhën online.
Sipas konkursit, kushtet dhe kriteret e përgjithshme të cilat duhen plotësuar nga kandidati me rastin e aplikimit përfshijnë së paku tetë vite përvojë pune, pesë prej të cilave përvojë të menaxhimit të mediave apo fushave tjera relevante; të mos jetë i dënuar për vepër penale të dënueshme mbi gjashtë muaj, të mos ketë qenë deputet, ministër, zyrtar i pushtetit qendror apo lokal, apo anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politike gjate tri viteve të fundit, e kështu me radhë.
Përveç këtyre kushteve, në konkurs theksohet se kandidati duhet të ketë kualifim universitar; të zotërojë ndonjërën nga gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës, në të folur dhe në të shkruar; të ketë aftësi për caktimin e prioriteteve dhe punë ekipore si dhe për të punuar në mënyrë efikase nën presion kohor, e kështu me radhë.