RTK hap konkurs për drejtor të përgjithshëm dhe udhëheqës të auditimit të brendshëm

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ka hapur konkurs për drejtor të përgjithshëm dhe për udhëheqës të Njësisë së auditimit të brendshëm.

Bordi i RTK-së hapi këto konkurse në mbledhjen e sotme, më 03.09.2024.

Me hapjen e konkursit për Njësinë e auditimit u shpreh i lumtur zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Adi Krasta, i cili tha se ka ardhur momenti që kjo Njësi të transformohet.

Ish-drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj dha dorëheqje më 08.07.2024, duke thënë se kjo vjen pas një presioni politik 7-mujor. Ai kishte pretenduar se ishte ftuar në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.

“Zoti Kurti në njëfarë forme e pranonte që në RTK ka ndryshim por mendonte që duhet të ketë ndryshim shumë më të thellë. Në një moment tha që ‘mendoj që ka ardhë koha për një ndryshim të ri në menaxhment’. Nuk ishte shumë specifik që unë të largohesha por fakti që thotë ndryshime në menaxhment, atë e kuptova” – ka thënë Ahmetxhekaj.

RTK ka hapur konkurs edhe për tre anëtarë të bordit më 28.08.2024, pas dorëheqjes së kryetarit të bordit, Besnik Boletini dhe anëtarëve Arta Berisha e Safet Kabashaj. Megjithatë, Ligji për RTK-në thotë që dorëheqja duhet të njoftohet të paktën tre muaj përpara, prandaj të tre do të vazhdojnë të jenë anëtarë edhe për tre muaj pas dorëheqjes.

Dorëheqjet erdhën pas skandalit të publikimit të një artikulli në RTK të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, e cila etiketonte dy media të Kosovës si të ndikuara dhe financuara nga Serbia.

Në këtë mbledhje ishin prezentë edhe zëvendësdrejtori gjeneral i RTK-së, Adi Krasta, drejtori i radios, Arsim Halili dhe drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla.

Prej bordit mungoi vetëm Safet Kabashaj, i cili sipas nënkryetares Albulena Mehmeti nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Anëtarët e tjerë, Fatime Lumi Qehaj, Dardan Beqiri dhe Radojica Mrdijinac ishin prezentë fizikisht, ndërsa tre anëtarët e tjerë, Biroll Urcan, Besnik Boletini dhe Arta Berisha u lidhën online.