Komisioni për Buxhet dhe Financa - shqyrtimi i raportit të punës tetor-dhjetor 2021

RTK do të shpall konkurs javën tjetër duke u bazuar në ligjin e punës

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli ka kërkuar të dijë se a është adresuar çështja e punëtorëve të RTK-së të cilët sipas raportimeve janë 80 redaktorë dhe 60 gazetarë në RTK-së.

Gjithashtu Dugolli, e ka përmendur edhe punën e kontratave për shërbime ose kontrata mbi vepër, që sipas tij është elementi më abuzues që ka ndodhur nëpër institucione.

Dugolli, këto deklarata i bëri gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën tetor-dhjetor për vitin 2021 në Komisionin për Buxhet.

Besnik Boletini, kryetar i bordit të RTK-së, tha se si bord kanë kërkuar në mbledhjen e parë numrin e gjithë punëtorëve të rregullt të RTK-së dhe punëtorëve me kontrata për shërbime.

Ai tha se janë interesuar për aspektin ligjor dhe kanë vërejtur që ka pasur shumë kontrata mbi vepër.

“RTK ua ka ndërruar standardin kontratave, i kanë bërë kontrata për shërbime dhe kështu kanë vazhduar deri më 31 dhjetor”, tha ai duke shtuar se të gjithë punëtorët me kontratë për shërbime janë punësuar pa konkurs.

“Kemi vendosur që këto kontrata të vazhdohen si fazë tranzitore deri më 31 mars.. Të gjithë këta kanë hy për vite të tëra pa konkurs edhe është vazhduar kontrata pa u vlerësuar performanca. Këta punëtorë nuk mund të avancohen kurrë. Ne jemi të vendosur për ta rregulluar këtë çështje”, tha ai.

Kurse u.d. drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj tha se nëse këto kontrata do të ndërpreheshin më 31 dhjetor do të ishte një lloj paralize.

“Gjatë javës tjetër do të shpallim konkurs për RTK 2, për roje dhe për komunitetet e tjera dhe do të bazohemi në ligjin e punës”, tha ai.

Sipas tij punëtorëve po u ofrojnë mundësi punësimi të rregullt.

“239 punëtorë serb, boshnjak, e të tjerë që kanë kontrata mbi shërbime kanë ardhur pa konkurs publik. Kjo nuk do të thotë që ata nuk kanë të drejtë të jenë pjesë e konkursit për shkak të përvojës që e kanë, besoj do të kenë avantazh. Ne po u ofrojmë mundësi të kenë punë të rregullt, punë që paguhet mirë dhe që kanë beneficione të tjera të përcaktuara me ligj, sepse kjo formë çfarë janë tash edhe në RTK 2 është formë e pa ligjshme nuk njihen si punëtorë”, shtoi ai.

Sa i përket punës së redaktorëve, Boletini shtoi se në televizion janë 80 redaktorë e 60 gazetarë. Ndërsa në radio janë 40 redaktorë dhe 39 gazetarë.

“Kjo është e pa pranueshme për neve, e kemi gjetur këtë situatë”, tha ai duke shtuar se punonjësit që kanë ardhur për shërbime e kanë kryer punën në teren.

Sipas Boletinit nëse avancimet janë bërë me shkelje të procedurave personat do të degradohen.

“Nëse janë bërë shkelje të procedurave ata do të degradohen”, tha ai.

Boletini shtoi se i kanë bërë kërkesë edhe Inspektoratit të Punës të bëjnë inspektim sa i përket avancimeve dhe kontratave për shërbime.

3,151,934 euro ka shpenzuar RTK në tremujorin tetor-dhjetor 2021

Edhe gjatë ditës së djeshme, është përmendur puna e redaktorëve të RTK-së nga kryesuesi i Bordit të RTK-së.

Kryetari i bordit: Në RTK ka më shumë redaktorë sesa gazetarë

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për Radio Televizionin Publik të Kosovës – LINK