Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

RTK dënohet me 3 mijë euro në rastin e Fadil Hoxhës, drejtori gjeneral thotë se do ta apelojnë vendimin

Inspektorati i Punës ka gjobitur me tre mijë euro Radiotelevizionin e Kosovës për rastin e degradimit në pozitë të Fadil Hoxhës, kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, në fund të vitit të kaluar.

Në vendimin që KALLXO.com ka siguruar nga Inspektorati i Punës thuhet se RTK kishte ulur Fadil Hoxhën në pozitë, e cila nuk është në harmoni me shkollimin dhe aftësitë e tij.

Inspektorati ka gjetur shkelje edhe në nxjerrjen e vendimit për degradimin e Hoxhës. Sipas IP-së, nxjerrja e vendimit për degradimin e Hoxhës është bërë nga pala që në të njëjtën kohë është iniciuese e procedurës dhe palë në procedurë.

“Inspektorati i Punës duke marrë parasysh që z.Alban Fetahu dhe z.Fadil Hoxha janë palë në procedurë, punëdhënësi bazuar në nenin 11, paragrafin 4, procedura apo vendimi është dashur të nxirret nga zyrtarë e tjerë të autorizuar… Në këtë rast është z.Alban Fetahu të njëjtën kohë është edhe inicues i kësaj procedure”- thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës.

Drejtori gjeneral i Radiotelevizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, tha se zyra ligjore e RTK-së do ta apelojë vendimin.

Ahmetxhekaj tha se vendimi thirret në rregulloren e brendshme të RTK-së, e cila nuk është kontestuar asnjëherë.

“Zyra ligjore e RTK-së do ta apelojë këtë raport zyrtar, pasi pos tjerash, ky vendim thirret  në rregullore të brendshme, të cilën RTK e zbaton që shumë vite dhe e cila nuk është kontestuar asnjëherë deri më tash. Ne jemi për ligjshmëri në secilin proces. Duhet të theksohet se në anën tjetër, Inspektorati ka hedhur poshtë pretendimet e ankuesit se masa ndaj tij ka të bëjë me aktivitetin sindikal. Raporti i plotë përmban 11 faqe”- tha Ahmetxhekaj për KALLXO.com.

Inspektorati i Punës nuk e ka konsideruar vërejtjen ndaj Hoxhës nga RTK-ja si vërejtje në cilësinë e kryetarit të Sindikatës por si punonjës i RTK-së.

“IP nuk e konsideron vërejtjen/kërkesën si kërcënim, e dyta kjo shkresë për këtë rast nuk i është drejtuar ankuesit jo si kryetar i SPRTK por si punonjës i RTK-së duke u bazuar në obligimet që rrjedhin nga kontrata e punës…”- thuhet në vendimin e Inspektoratit të Punës.

Fadil Hoxha, kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së ishte degraduar në muajin dhjetor në pozitën inxhinier përgjegjës nga pozita udhëheqës i njësisë së hulumtimit sepse kishte thirrur Policinë e Kosovës pasi kishte pranuar një e-mail për mosprezencë në vendin e punës.

Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës kishte thënë se kryetari i saj, Fadil Hoxha, ishte kërcënuar me masa ndëshkuese për shkak se në kohën kur është bërë një inspektim në zyrë ai nuk ka qenë i pranishëm.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, kishte thënë se ai nuk e ka degraduar Hoxhën dhe se udhëheqësi i Shërbimeve të Përbashkëta, Alban Fetahu, kishte konstatuar që thirrja e Policisë së Kosovës nga Hoxha është shkelje e kontratës.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast, dhe KËTU mund t’i gjeni të gjitha raportimet.