Rryma në veri, Qeveria ndan mbi 17 milionë euro për KOSTT-in
Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën për ndarjen e 35.5 milionë euro për siguri të furnizimit me energji elektrike dhe mbrojtje të sistemit energjetik. Prej tyre, 20 milionë euro janë ndarë për KEK-un dhe 17.5 milionë euro për KOSTT-in.
Sipas njoftimit të Qeverisë, KEK-ut i janë ndarë për shkak të vendosjes së Obligimit të Shërbimit Publik për të ndihmuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe shmangien e devijimeve në sistemin energjetik të Kosovës, për periudhën 1 janar 2023 deri më 15 mars 2023 deri në 185 GWh, në rastet kur nuk plotësohen të gjitha kërkesat e furnizimit me energji elektrike. Sipas këtij obligimi, KEK obligohet të importojë mungesën e sasisë së energjisë elektrike atëherë kur kapacitetet vendore gjeneruese dhe importi i siguruar nga ndërmarrjet tjera të energjisë është i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjithë kërkesën e Kosovës për energji elektrike.
Ndërsa për KOSTT-in për pagesa të borxheve ndaj Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike. Mjetet sipas këtij vendimi merren nga kursimet buxhetore.
Më 16 dhjetor, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte bërë të ditur se KOSTT-i ka kërkuar buxhet për mbulimin e energjisë së shpenzuar dhe jo të paguar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) më herët gjatë këtij muaji kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri aktualisht janë rreth 11 milionë euro.
“Aktualisht, obligimet financiare të KOSTT për humbjet e shkaktuara nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës janë afër 11 milionë euro” – ka thënë Elvane Devexhi-Osmani, zyrtare për komunikim me publikun në KOSTT për KALLXO.com.
Sipas saj, në mungesë të buxhetit, për mbulimin e humbjeve nga energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale.
“Të gjitha imbalancet/devijimet e shkaktuara ndaj sistemit interkonektiv përfshirë devijimet për shkak të veriut paraqesin obligime financiare për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese, ndaj ENTSO-E”, ka theksuar ajo.
Derisa në vitin 2021 humbjet e shkaktuara nga energjia elektrike e shpenzuar por jo e paguar në katër komunat me shumicë serbe në veri kanë arritur shumën mbi 40 milionë euro vetëm në vitin 2021. Më tej ata kanë treguar se nga Qeveria e Kosovës janë mbuluar rreth 7,673,462 milionë euro, pjesa tjetër prej 33,176,197 euro është mbuluar nga buxheti i KOSTT-it sipas udhëzimeve të Parlamentit të Kosovës. Kjo ka bërë që bilanci i suksesit të KOSTT-it të jetë negativ, me humbje rreth 25 milionë euro.
Në fillim të vitit 2021, KOSTT ishte ankuar te Zyra e Rregullatorit për Energji se pagesat që është duke i bërë për enegjinë elektrike të shpenzuar në veri të Kosovës janë duke e çuar drejt falimentimit.
Në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë, të zotuar në muajin shkurt.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanollli, pati thënë se shuma prej 40 milionë euro do të përmbush obligimet e KOSTT-it deri në nëntor të vitit 2022, e më pas pagesa e rrymës të bëhej nga vetë qytetarët siç parashihej me udhërrëfyesin për energjinë.
Kosova dhe Serbia më 21 qershor kanë arritur një dakordim për zbatimin për marrëveshjen e energjisë të vitit 2013.
Ky dakordim parashihte një kalendar 100 ditor, deri tek faturimi i konsumatorëve në veri.
Por edhe pas kanë kaluar 175 ditë, faturimi nuk ka filluar, sepse nuk janë zbatuar shumë nga pikat e këtij udhërrëfyesi.
Ndonëse marrëveshja ekziston që nga viti 2013, e ende nuk ka zbatim për të, qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.
Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.
Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme. Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa më pas është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i.