Rrustemi i LVV-së akuzon opozitën për minimizim të rastit të Ibër-Lepenc
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi në seancën e mbajtur më 02.12.2024, teksa ka folur në emër të partisë, i akuzoi, siç i quajti ai, zërat opozitarë, për minimizim të rastit të shpërthimit në kanalin e Ibër – Lepencit.
Sipas tij, gjatë katër viteve, opozita ka penguar çdo veprim e politikë që shkonte të interes të qytetarëve.
“Ne si shumicë parlamentare e dënojmë këtë akt terrorist. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë sulm. Është për keqardhje që në vend të solidartitetit disa zërë opozitarë kanë zgjedhur ta minimizojnë këtë akt dhe ta manipulojnë opinionin publik duke tentuar të përfitojnë politikisht nga një situatë tragjike që Serbia orkestron kundër nesh”- është shprehur Rrustemi.
Ai ka thënë se në këtë mandat qeverisës kanë treguar vendosmëri për të shtrirë sovranitetin në çdo cep të Kosovës
“Në mandatin tonë kemi treguar vendosmëri për të shtrirë sovranitetin në çdo cep të territorit. Me kontributin e policëve dhe mbështetjen qytetarëve, ne kemi arritur në veri të kemi praninë e shtetit për të eliminuar çdo ndikim të Serbisë atje”- ka thënë ai.
Në prag të përfundimit të mandatit, Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar lidhur me qeverisjen katërvjeçare të kryeministrit, Albin Kurti.
Kjo seancë është propozuar gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 25.11.2024, nga deputeti Besnik Tahiri në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.