Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rrustemi: Gjyqtari Driton Muharremi ka cenuar rëndë sistemin e drejtësisë

Kryetari i Komisionit për Legjislacion Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi ka rikonfirmuar se Komisioni ka iniciuar procedurën e shkarkimin të gjyqtarit Driton Muharremi, pas skandalit të përgjimeve.

Pas mbledhjes së Komisionit, Rrustemi në një adresim para mediave tha se përgjimet flasin për shkelje të rënda të detyrave dhe përgjegjësive “[Driton Muaharremi] si anëtar i Këshillit Gjyqësor  dhe cenimin e rëndë që i ka bërë sistemit të drejtësisë dhe në fakt sistemit gjyqësor në Kosovë”.

“Ne konsiderojmë se zotëri Muharremi do të duhej të jepte dorëheqje vetë për të shmangur vendime të tilla të Komisionit dhe seancës por meqë nuk kemi parë veprime të tilla nga z. Muharremi, ne si Komision ashtu siç na autorizon ligji kemi iniciuar procedurën e shkarkimit të tij.

Ai shtoi se konsiderojnë që “Muharremi ka cenuar rëndë sistemin e drejtësisë”.

“Një person me imazh të tillë nuk mund të qëndrojë më tutje në kuadër të sistemin tonë gjyqësor”, theksoi deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Media online “Shqip.com” ka publikuar dy pjesë me audioinçizime të cilat pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar ndërsa në këto audioinçizime përmenden edhe dy mediume për të cilat tashmë ish-shefi i Inteligjencës Financiare Dardan Nuhiu, së bashku me një bashkëbisedues pretendojnë t’i blejnë për t’i shfrytëzuar më pas për shantazhe.

Në këto audioinçizime po pretendohet kapja e sistemit medial, zgjidhja e lëndëve në prokurori e gjykatë, si dhe ushtrimi apo ndikimi në lëndën e një personi të cilit ia kishin konfiskuar veturën.

Në audioiniçizimet e publikuara pretendohet të jetë i përfshirë edhe gjyqtari Driton Muharremi.

Dy ditë më parë, KGjK-ja ka deklaruar se po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me publikimet e përgjimeve nga media online “Shqip.com” nga data 30 korrik 2021, rreth bisedave telefonike të regjistruara në mes të subjekteve të ndryshme, ku përfshihet edhe një anëtar i KGjK-së.

Sipas një komunikate për media, ky Këshill ka theksuar se në pajtueshmëri me përgjegjësitë ligjore që ka do të vazhdoj të përcjell situatën dhe do të veprojë sipas procedurave dhe afateve që përcaktohen me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të anëtarëve të KGjK-së.

KALLXO.com dje ka raportuar se Prokuroria Speciale ka marrë kërkesë nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që të hetojë audio- incizimet të cilat janë publikuar nga media online “Shqip.com” e të cilat pretendohen se janë përgjime të vitit të kaluar.

Thyen heshtjen, Kryeprokurori Aleksandër Lumezi flet për skandalin e audio-incizimeve