Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rrustemi flet për ndërtimin e banesave: Nuk duhet të lejojmë që Lipjani të bëhet Fushë Kosovë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Lipjant, Adnan Rrustemi në Debat Pernime tha se nuk duhet të lejohet që Lipjani të bëhet Fushë Kosovë, teksa është folur për urbanizmin në këtë komunë.

“Së pari duhet të fillojmë nga ajo se çfarë nuk duhet të bëhet Lipjani. Nuk duhet të lejojmë të bëhet Fushë Kosovë. Ka një lloj trendi të degradimit. Ende ka shpresë për ta penguar dhe kjo është edhe nga pikëpamje qytetare dhe jodomsdoshmërisht politike”, tha ai.

Rrustemi ka shtuar se nuk është fjala vetëm për ndërtimet pa leje, por edhe ato me leje por që sipas tij nuk janë respektuar parametrat e mirëfillta urbane.

“Ne duhet të shkojmë edhe me hapësira publike brenda lagjeve. Pjesën e tregut do ta shndërrojmë në hapësirë pulbike me tregt të përditshëm të gjelbër”, shtoi ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Lipjanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Lipjanit: Adnan Rrustemi nga LVV; Bashkim Budakova nga AAK; Hyzret Rizani nga PDK dhe Imri Ahmeti nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Lipjanit: Egzona Bytyqi dhe Lumturije Bytyqi Hasani nga PDK; Hyra Bytyçi dhe Safete Amerllahu nga LDK; Majlinda Agushi nga AAK dhe Shahadije Dragaqina nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.